Begaj në Kuvendin e RMV-së: Marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëjetesa, kyçe për stabilitetin rajonal

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku vuri në pah rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, stabilitetin rajonal dhe bashkëjetesën ndëretnike si elemente thelbësore për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Në adresimin e tij, Begaj i cilësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shtyllë të rëndësishme të stabilitetit në rajon, duke theksuar se ato janë ndërtuar mbi respekt të ndërsjellë, partneritet dhe bindjen se stabiliteti i dy vendeve është i përbashkët.

“Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj i afërt, partner i besuar dhe aleat në NATO, por një prej vendeve me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie tradicionalisht të mira, miqësore dhe intensive”, tha Begaj.

Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut përbën faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndëretnik, duke e cilësuar bashkëjetesën ndëretnike si çështje thelbësore për të ardhmen e vendit dhe të rajonit.

Presidenti shqiptar u ndal edhe te zhvillimet e fundit në nivel kontinental dhe rajonal, duke përmendur agresionin rus ndaj Ukrainës dhe rastin e Banjskës në Kosovë. Sipas tij, këto ngjarje dëshmojnë se liria, paqja, siguria, sovraniteti dhe demokracia mbeten ende nën kërcënim.

“Rajoni ynë mbetet një prej zonave me ndjeshmëri në treguesit e sigurisë dhe kërcënimeve”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, Begaj përmendi edhe rëndësinë e Marrëveshja Kornizë e Ohrit, duke e cilësuar atë si gur themel për rendin kushtetues dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se kjo marrëveshje dëshmoi se dialogu mund të mposhtë krizën dhe se barazia ndërmjet komuniteteve e forcon shtetin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button