Rama: Shqipëria në Bordin e Paqes, krenari

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes për Kryeministrin Rama shënon një kapitull të ri të vendit tonë në arenën globale. Në podkastin “Flasim”, Rama theksoi kontributin që do të japë vendi ynë në garantimin e paqes në Gaza.
“Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Vizita në Uashington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes”.
Kryeministri tha se ia doli të përcjellë në Uashington një nivel të ri sensibilizimi për vendosjen e drejtësisë në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të UÇK-së.
“Më vjen mirë, natyrisht, për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës”.
Rama u shpreh besimplotë se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me gjykatën e Hagës do të ndikojë që kjo e fundit të zgjedhë mes dinjitetit dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare.
“Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare”.
Më 19 shkurt, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare e Bordit të Paqes, një organizatë ndërkombëtare e krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Vendi ynë do të kontribuojë me dërgimin e trupave, si dhe, në emër të Shqipërisë, Kryeministri Rama shprehu gadishmërinë për të ofruar një ekspertizë konkrete sa i përket rindërtimit të Gazës.
Tv Klan



