Kosovë, parakalimi i FSK-së dhe Policisë mbushi rrugët e Prishtinës për nder të Ditës së Pavarësisë

Për nder të 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, është mbajtur në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, raporton Anadolu.
Parakalimi në rrugën “Luan Haradinaj” të kryeqytetit u bë në prani të krerëve shtetërorë, përfaqësuesve institucionalë, familjarëve të dëshmorëve dhe qindra qytetarëve.
Njësite të këmbësorisë së FSK-së parakaluan para të pranishmëve të rreshtuara sipas formacioneve përfaqësuese, duke dëshmuar disiplinë dhe profesionalizëm.
Pas tyre, parakaluan njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, përfshirë Njësinë Speciale të Ndërhyrjes, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe struktura të tjera operative, të pajisura me armatim dhe mjete bashkëkohore.
Në kuadër të ceremonisë u prezantuan edhe një pjesë e automjeteve ushtarake, me të cilat është furnizuar Ushtria e Kosovës. Parakalimi u shoqërua me duartrokitje të qytetarëve, të cilët kishin dalë përgjatë rrugës për të ndjekur nga afër ceremoninë tradicionale.
Paraprakisht Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne, ku krerë të institucioneve, diplomatë dhe mysafirë të ndryshëm morën pjesë.
Presidentja Vjosa Osmani tha 18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur e sovran duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, por duke hapur një kapitull të ri të historisë kombëtare.
Në prag të një proteste masive për të kërkuar drejtësi dhe jo politikë nga Gjykata Speciale e Hagës, presidentja Osmani tha se “çdo përpjekje për ta njollosur atë është e padrejtë, historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë u ngritën për liri e dinjitet”.
– Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shpreh përkrahjen e shtetit të Shqipërisë për Kosovën
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka shprehur përkrahjen e shtetit të Shqipërisë për Kosovën si dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Ai në fjalën e tij në seancën solemne tha se “Republika e Shqipërisë është me UÇK-në, me komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, me qytetarët e Kosovës, me dhimbjet e tyre”.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Republika e Kosovës nuk do të lëshojë pe kur bëhet fjalë te sovraniteti shtetëror, integritetit territorial e demokracisë popullore.
Lidhur me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, në këtë seancë foli edhe kryeministri Kurti i cili tha se akuzat e Prokurorisë në Hagë nuk qëndrojnë.
“Brengosemi që krerët e UÇK-së e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht sepse guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes njëshekullore dhe një regjimi gjenocidal”, tha Kurti.
Aktivitetet për shënimin e përvjetorit të pavarësisë vijuan me homazhe pranë monumenteve të dëshmorëve, si dhe me aktivitete të tjera institucionale e kulturore në kryeqytet dhe qytete të tjera të vendit.



