Ministri i Jashtëm turk thekson rëndësinë e vazhdimit të dialogut SHBA-Iran
Ministri Hakan Fidan tha se nuk duket se ka një kërcënim të menjëhershëm lufte në rajon dhe se mund të thuhet që ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshjeje

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, komentoi të hënën tensionet rajonale dhe bisedimet bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, duke theksuar se një luftë e menjëhershme nuk duket e mundshme dhe duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut diplomatik, transmeton Anadolu.
Duke folur në një intervistë për CNN Turk, Fidan tha se nuk duket se ka një kërcënim të menjëhershëm lufte në rajon dhe se “mund të thuhet që ekziston një mundësi” e arritjes së një marrëveshjeje.
“Dera është hapur”, tha ministri turk.
Sipas tij, të dyja palët po përpiqen të fitojnë kohë, por kjo është gjithashtu pjesë e strategjisë së negociatave.
Ai kujtoi përvojën e Iranit nga sulmet e mëparshme dhe shtoi se SHBA-ja ka paralajmëruar Teheranin për mundësinë e zhvillimeve të papritura. “Nga (Sekretari Marco) Rubio morëm një telefonatë (në kohën e sulmit të fundit): ‘Thuajuni iranianëve se në disa orë mund të ndodhë gjithçka’”, tha Fidan.
Ai vlerësoi vullnetin e palëve për të vazhduar negociatat dhe theksoi se fillimi nga çështja bërthamore ishte vendim i rëndësishëm.
“Çështja bërthamore është tema më e rëndësishme. Rajoni nuk ka kapacitet për të përballuar një luftë të re. Ne duam të përdorim të gjitha mundësitë për të parandaluar një luftë të mundshme”, tha kryediplomati turk.
Duke folur për opsionet e ndërhyrjes ushtarake, ministri tha se ndryshimi i regjimit në Iran përmes një sulmi ajror ose veprimi tjetër është iluzion.
Ai theksoi se Irani nuk ka bomba atomike dhe se nuk ka të dhëna që po përpiqet t’i prodhojë.
Duke iu referuar situatës në Siri dhe Irak, ai tha se çdo alternativë e dhënë popullit do të ndikojë në perceptimin e komuniteteve kurde dhe se pas Sirisë vjen sfida e Irakut: “Shpresojmë që të nxjerrin mësime dhe të marrin vendime më të mençura, që tranzicioni aty të jetë më i lehtë”.
Fidan foli edhe për praninë e PKK-së në Irak. Ai tha se PKK-ja zë shumë territore atje dhe kjo nuk është thjesht problem i Turqisë, por i shtetit irakian. “Çfarë lloj shteti sovran jeni ju (Iraku) që e lejoni atë të ekzistojë në këtë mënyrë?”, tha ai.
Ai shtoi se qeveria irakiane ka fuqinë për ta adresuar këtë çështje dhe parashikon ndryshime në rajonin Sinjar-Mahmur-Kandil në të ardhmen e afërt. “Çdo qeveri që zgjidhet përmes votës do të bashkëpunojmë me të, kushdo që të vijë”, tha ministri i Jashtëm i Turqisë.



