Osmani reagon pas kërkesës për dënimin e Thaçit dhe të tjerëve: Lufta e UÇK-së nuk krahasohet me krimet serbe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një reagim lidhur me përpjekjet për të barazuar luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krimet e agresorit serb.
Ky reagim vjen pas fjalës përfundimtare të Kryeprokurores së Specializuar Kimberly Ëest në Hagë e cila ka thënë se Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burg për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin.

Në reagimin e saj, Osmani thekson se pavarësia e Kosovës ishte vullneti i popullit dhe rezultat i një sakrifice shekullore, për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm, dhe që u luftua me heroizëm nga UÇK-ja.

Presidentja kujton gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës, duke përfshirë vrasjen e mijëra fëmijëve, grave dhe të moshuarve, dhunimet e mijëra grave e burrave, shkatërrimin e qindra mijëra shtëpive, dëbimin e mbi 80% të qytetarëve, spastrimin etnik dhe zhdukjen me dhunë të mijëra personave.
Ajo nënvizon se Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, dhe se kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet nga tentimet për të rishkruar historinë ose për të njollosur betejën e popullit të Kosovës për liri.
Reagimi i plotë:

Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.

Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.

Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button