Gashi: SHBA na sheh si shembull pozitiv

Kryerparlamentari Afrim Gashi informoi se gjatë vizitës në SHBA ka realizuar takime shumë të suksesshme, prej të cilave priten efekte pozitive, posaçërisht vizita në Departamentin e Shtetit, ku u bisedua për vazhdimin e marrëveshjes strategjike me SHBA-në.
“E dini se mëngjesi i lutjes nuk është vetëm ngjarje, e cila mbahet në ato dy orë, por mundësi e shkëlqyeshme për takime, kontakte, lobim, promovimin e shtetit tonë dhe qëndrimeve tona, arritjen e qëllimeve tona, e tjerë. Posaçërisht ishte e rëndësishme vizita në Departamentin e Shtetit, ku biseduam për vazhdimin e marrëveshjes strategjike me SHBA-në. Tashmë janë në vijim ose në fazën e fundit përgatitjet për raundin e dytë të marrëveshjes për partneritet strategjik me SHBA-në. Po ashtu, në fazë finale është edhe marrëveshja ekonomike mes SHBA-së dhe shtetit tonë”, tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.
Ai vlerëson se tërë vizita ka qenë në të mirë të shtetit dhe qytetarëve, ndërsa takimet i vlerësoi se mjaftë të suksesshme dhe me këtë rast ka shprehur bindje se ato do të kontribuojnë për rezultate konkrete dhe efikase gjatë periudhës së ardhshme.
“Shumë takime të suksesshme realizuam në SHBA dhe tërë vizita ishte në të mirë të shtetit dhe qytetarëve. Mendoj se kemi bërë vizita të mira dhe efektet do të jenë pozitive nga të gjitha këto takime. Maqedonia shihet si shembull pozitiv, na përkrahin. Mendojnë se duhet të na hapet dera për fillimin dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian”, tha Gashi.
Ai potencoi se në Departamentin e Shtetit e kanë hapur edhe temën për vendin e zbrazët të ambasadorit, pasi u largua Anxhela Ageler, e cila ishte një nga diplomatet, që u revokuan nga presidenti Donald Tramp.
“Në Departamentin e Shtetit e kemi hapur edhe këtë temë. Thamë se është në interesin tonë të përbashkët të kemi sa më shpejt të jetë e mundur ambasador në vend. Deri në zgjedhjen e një ambasadori të ri, zëvendësambasadori do ta kryejë detyrën e tij në Ambasadë. Ata e shohin pozitivisht shembullin tonë dhe vendin tonë, duan bashkëpunim të mirë. Shpresoj që edhe kjo çështje me ambasadorin të zgjidhet shpejt”, tha Gashi.



