Venezuela, Grenlanda dhe krijimi i precedentit sot në gjeopolitikë

Trump-i është ndërhyrës, siç ishin pothuajse të gjithë paraardhësit e tij, por në një mënyrë të re. Nga njëra anë, ai vepron me ndërhyrje jo të zgjatura në kohë, duke e ditur se baza e tij elektorale nuk do të pranojë një ngërç si ai i Vietnamit ose Afganistanit. Nga ana tjetër, dhe mbi të gjitha, ai braktis në mënyrë të paskrupullt veshjen ideologjike ose morale me të cilën amerikanët janë mësuar deri më tani. Pa asnjë shqetësim për justifikim ideologjik ose moral, ai i atribuon vetes një të drejtë pothuajse sovrane mbi fatin politik të të gjitha shteteve që nuk i pëlqejnë.
Gerta ZAIMI, Tiranë
3 janari 2026 do të mbetet një datë kthese për Amerikën Latine dhe të gjithë rendin gjeopolitik global. Operacioni “Absolute Resolve”, siç u quajt nga autoritetet amerikane, çoi në arrestimin në Karakas të presidentit venezuelan, Nicolas Maduro, dhe zonjës së parë, Cilia Flores, të cilët më pas u transferuan në Shtetet e Bashkuara për t’u paraqitur para një gjykate federale në Nju Jork.
Rrëmbimi i Maduros ndodhi 36 vjet pas atij të presidentit të Panamasë, Manuel Noriega.
Por, kjo ndodhi gjithashtu një muaj pasi vetë Donald Trump-i e fali ish-presidentin e Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, i dënuar në vitin 2024 me 45 vjet burg për trafik droge nga një gjykatë e Nju Jorkut.
Donald Trump-i vendosi për këtë ndërhyrje ushtarake, pa marrë parasysh të drejtën ndërkombëtare dhe pa u konsultuar me Kongresin Amerikan, siç kërkon kushtetuta në parim.
Akuza kundër Maduros, si udhëheqës i “narkoterrorizmit”, nuk e bindi askënd: Venezuela nuk është prodhuese kokaine dhe asnjë vend i Amerikës Latine nuk prodhon fentanil. Akuza se është udhëheqës i kartelit të drogës “Soleils” u hodh poshtë gjithashtu kur ai u akuzua. Por, për ta shpjeguar rrëmbimin e Maduros, ambasadori i SHBA-së në OKB përmendi një arsye tjetër: Shtetet e Bashkuara, tha ai, “nuk mund të kenë kundërshtarë që kontrollojnë rezervat më të mëdha të naftës në botë”.
Le të jemi të qartë – Maduro, diktator përgjegjës për krime dhe shkelje të rënda, nuk meriton asnjë simpati nga askush, por kur Donald Trump-i pranon hapur se objektivi është kontrolli i burimeve të naftës së Venezuelës, ndërhyrja humbet çdo ligjshmëri dhe zbulohet për atë që është: sekuestrim i maskuar si drejtësi.
Siguria globale transaksion për fitime përmes ushtrimit të forcës arbitrare
Mësimi i vërtetë i këtij rrëmbimi është se Uashingtoni tani afirmon të drejtën për të vepruar në mënyrë të njëanshme kudo që dëshiron me forcë, por jo vetëm kaq. E drejta ndërkombëtare i nënshtrohet hapur menaxhimit imperialist të sigurisë globale nëpërmjet ushtrimit të forcës arbitrare, pa pasur në konsideratë asnjë rregull.
Përdorimi i forcës kundër një shteti sovran, jashtë kontekstit të vetëmbrojtjes, shkel normat themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në të drejtën ndërkombëtare, ashtu si në të drejtën e brendshme, ekzistojnë rregulla për të siguruar që drejtësia të mos jetë kapriço, por fryt i një procesi transparent dhe të përbashkët.
Ndërsa ligji kombëtar gjen legjitimitet të plotë në sovranitetin popullor dhe shtetet kanë vendosur rregulla, sanksione dhe procedura për të siguruar respektimin e tij, ligji ndërkombëtar është shumë më pak i fuqishëm.
Dallimi është se ligji kombëtar zbatohet për individët, ndërsa ligji ndërkombëtar zbatohet për shtetet. Pikërisht për këtë arsye ai bazohet në konsensus, pra në traktate mes palëve.
Për më tepër, ndërsa i pari ka një aparat efektiv për zbatimin e tij, siç janë forcat policore, gjykatat, burgjet, i dyti mund të zbatohet vetëm përmes diplomacisë, sanksioneve dhe gjykatave ndërkombëtare. Pra, i mungon një autoritet superior i njohur për ta legjitimuar atë. Dhe, për këtë arsye, pas Luftës së Dytë Botërore u krijuan Kombet e Bashkuara (OKB-ja). Jo për të zëvendësuar ligjin vendas me atë ndërkombëtar, por, përkundrazi, për të krijuar një sistem që të mund të zbusë teprimet e sovranitetit kombëtar nga shtetet që janë realisht më të fuqishme, ku lufta nuk ishte më zgjedhja e më të fortit, por u nënshtrohej rregullave të sakta: vetëmbrojtje ose autorizim nga Këshilli i Sigurimit.
Sot, pas dekadash vendimesh të diskutueshme të OKB-së, me veto-t e Këshillit të Sigurimit, me rezoluta që edhe kur arrijnë të aprovohen, në shumë raste nuk respektohen dhe diskutimet e pabalancuara të Asamblesë së Përgjithshme, për fat të keq institucioni e ka humbur besueshmërinë përgjatë dekadave.
Është ky fundi i sistemit ndërkombëtar si e kemi njohur në 80 vitet e fundit?
Presidenca Trump, dhe madje edhe para saj, pushtimi rus i Ukrainës, lufta në Gaza, shënojnë një kthim në të kaluarën dhe në një botë në të cilën konteksti ndërkombëtar qeveriset vetëm nga fuqia e shteteve individuale, pa asnjë lloj respekti për procedurat, të cilat në vetvete nuk janë thjesht burokraci.
Rreziku i një bote pa rregulla është shumë i madh, sepse edhe pa dashje mund të shkaktohet një konflikt global, konflikt dhe luftëra, që ndryshe nga shumë vende të tjera, demokracitë perëndimore i kanë fshirë nga memoria në 80 vitet e fundit.
Në të ardhmen e afërt, rrëmbimi i Maduros është një precedent që Kina mund ta shfrytëzojë për të pushtuar Tajvanin dhe një precedent që Putini mund ta përdorë për të tallur Perëndimin kur i jep leksione mbi respektin e kufijve.
Në rastin e Venezuelës, ajo që është në rrezik nuk është vetëm sovraniteti i saj, por edhe rënia e çdo besimi të mbetur në aftësinë e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe veçanërisht të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, për të frenuar agresionin, për të parandaluar gjenocidin ose për të mbështetur normat themelore ligjore që ata pretendojnë se mbrojnë.
Venezuela, Grenlanda (kush thotë që nuk mund të ndodhë shpejt me Kubën, Iranin apo një shtet tjetër?) janë pa dyshim ekspozimi bruto i forcës amerikane pa asnjë lloj filtri, duke lënë pa fuqi ligjin, rregullat, veton.
Trump-i është ndërhyrës, siç ishin pothuajse të gjithë paraardhësit e tij, por në një mënyrë të re. Nga njëra anë, ai vepron me ndërhyrje jo të zgjatura në kohë, duke e ditur se baza e tij elektorale nuk do ta pranojë një ngërç si ai i Vietnamit ose Afganistanit. Nga ana tjetër, dhe mbi të gjitha, ai braktis në mënyrë të paskrupullt veshjen ideologjike ose morale me të cilën amerikanët janë mësuar deri më tani. Pa asnjë shqetësim për justifikim ideologjik ose moral, ai i atribuon vetes një të drejtë pothuajse sovrane mbi fatin politik të të gjitha shteteve që nuk i pëlqejnë.
Uashingtoni dëshiron të jetë në gjendje të ndërhyjë kudo që dëshiron në botë dhe nuk pretendon më të veprojë si garantues i një rendi normativ universal të vendosur pas vitit 1945, por vetëm në përputhje me interesat e veta kombëtare dhe rajonale. Pavarësisht kufijve ose shteteve mike apo aleate, vetëm interesat e Amerikës kanë rëndësi.
Trump-i mendon si një biznesmen, në terma marrëveshjesh dhe fitimesh. Mjafton të shohësh braktisjen e doktrinës së tregtisë së lirë, duke përdorur tarifat si mjete të politikës dhe gjeostrategjisë. Mesazhi është i pagabueshëm: siguria nuk është më një garanci e përbashkët, por një levë negociuese për transaksione dhe tarifat nuk janë më politikë tregtare, por një mjet gjeopolitik. Ato nuk ribalancojnë flukset, por ndëshkojnë dhe detyrojnë vende sovrane në marrje vendimesh, pra mbrojtje në këmbim të burimeve dhe territorit.
Shumë analistë në nivel ndërkombëtar janë duke folur për “ligjin e më të fortit”, “ligjin e xhunglës” ose edhe për një kthim në “gjendjen natyrore” siç e konceptoi Thomas Hobbes-i. Kjo na kthen te vëzhgimi i bërë më shumë se 2 mijë vjet më parë nga Tukididi, siç kujtoi, në fjalën e tij në Davos, kryeministri kanadez Marc Carney: “Të fortët bëjnë çfarë të duan dhe të dobëtit vuajnë çfarë duhet”.
Oren Cass-i, një nga ekonomistët e djathtë, mbështetës dhe pranë presidentit Trump, për herë të parë e kundërshton pikërisht këtë politikë të ushtrimit arbitrar të forcës. Cass-i bën dallimin midis një politike të jashtme “asertive” dhe një strategjie të bazuar në “forcën arbitrare”. Ai paralajmëron se kjo e fundit e gërryen besimin mbi të cilin bazohen aleancat, marrëveshjet ekonomike dhe stabiliteti ndërkombëtar. Dhe, në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat funksionojnë si një lojë e përsëritur dhe jo si një transaksion i vetëm, taktikat agresive kanë efekte kumulative. Çdo veprim krijon pritje rreth sjelljes së ardhshme të Shteteve të Bashkuara dhe këto pritje formatojnë zgjedhjet e vendeve të tjera.
Cass-i e thotë qartë se SHBA-ja nuk mund të veprojë e vetme, pa u mbështetur në aleanca. Dhe, aleancat nuk bazohen në sentimentalizëm ose në thirrje abstrakte të së drejtës ndërkombëtare, por në besim racional: secila palë bashkëpunon, sepse beson se, në planin afatgjatë, bashkëpunimi jep përfitime më të mëdha sesa “dezertimi”.
Në terma të teorisë së lojës, aleatët bashkëpunojnë sepse e dinë se “bashkëpunimi është i qëndrueshëm vetëm nëse asnjëri partner nuk tregon gatishmëri për të tradhtuar sistematikisht tjetrin për përfitime afatshkurtra”.
Nëse Shtetet e Bashkuara e përqafojnë hapur logjikën se “fuqia bën të drejtën”, vendet e tjera detyrohen t’i rishqyrtojnë rrënjësisht strategjitë e tyre. Në këtë skenar, “rezistenca me çdo kusht bëhet më racionale sesa bërja e lëshimeve, sepse çdo lëshim rrezikon të inkurajojë presione të reja dhe më serioze në të ardhmen”.
Nuk mund të jetë që e vetmja alternativë është një botë hobsiane e imperializmit grabitqar, thotë Cass-i. “Të jesh një superfuqi nuk do të thotë të ushtrosh forcë në mënyrë arbitrare, por të dish si ta përdorësh atë për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme, të drejta dhe të dobishme për të dyja palët”.
Problemi i tridhjetë viteve të fundit nuk ka qenë se Amerika nuk ka ndërtuar mjaftueshëm perandori, por se e ka bërë atë në mënyrën e gabuar. Venezuela ose Grenlanda krijojnë pa dyshim një precedent. Dhe, në gjeopolitikë, precedentët kanë më shumë rëndësi sesa qëllimet.



