Sindroma Karakas

Teksa duket sikur Trumpi po përdor metoda korporative për ta “downsize” Amerikën, duke i ndërprerë shumë prej programeve që mundësonin pushtetin e butë amerikan anembanë globit e duke u tërhequr prej shumë iniciativave ndërkombëtare, mosshqetësimi i tij për stabilitetin dhe përqafimi pa moskokëçarje i destabilizimit si realitet i ri, ndoshta e bëjnë Amerikën e tij të mos duket më si fuqi hegjemone, por si një shtet aspirant.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Në agim të vitit 2026, kur udhëheqësit e diplomatët e vendeve të Perëndimit, e besa edhe të tjerët, ende do të kenë qenë duke tretur darkat e bollshme festive të Vitit të Ri, SHBA-ja ndërmori operacionin “Vendosmëri Absolute”. Ndërhyrja e beftë në Venezuelë më 3 janar rezultoi në rrëmbimin – sipas amerikanëve arrestimin – e presidentit venezuelan Maduro dhe bashkëshortes së tij, të cilët ashtu me pizhama u lidhën e u dërguan drejt e në një burg afër kryeqendrës së OKB-së, Nju-Jorkut.

Për Maduron, mbase nuk e vuri kush ujët në zjarr, fundja diktatori venezuelan e kishte tepruar dhe legjitimiteti i tij ishte vënë në pikëpyetje sidomos pas zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat u konsideruan si të papranueshme jo vetëm nga perëndimorët, por edhe nga udhëheqës majtistë që zakonisht mbështesin Venezuelën, si Lula i Brazilit ose Borici i Kilit. Disa vende, prej Kanadasë së udhëhequr nga liberalët e deri te Italia e udhëhequr nga ultradjathtistët, përfshi edhe SHBA-në, asokohe të udhëhequr nga Biden, e njohën si fitues në zgjedhjet venezuelane opozitarin e Maduros, Edmundo Gonzalezin, mbështetësit e të cilit, si duket duke mos besuar te autoritetet e KQZ-së vendore, kishin mbajtur edhe tabulate për çdo qendër numërimi, sipas të cilave Gonzalezi kishte fituar mbi 60 për qind të votave, e Maduro diku 30 për qind. Maduro, sidoqoftë, vazhdoi përpara duke përdorur forcë, teksa të vetmit mbështetës në rrafshin ndërkombëtar i mbetën Rusia, Kina, Irani e Koreja e Veriut, vende me të cilat gjeografia nuk e lejonte të ishte tepër i lidhur në aspektin logjistik të sigurisë ose edhe të ekonomisë.

Mirëpo, çka i shqetësoi tej mase shumë udhëheqësit botërorë, përfshi edhe ata proamerikanë, ose edhe ata më të afërtit me Trumpin, ishte arsyetimi i Trumpit për këtë ndërhyrje, madje edhe më shumë se vetë ndërhyrja.

Ndërhyrja, si e tillë, nuk është paprecedentë, edhe pse asnjë prej tyre nuk i përngjan tërësisht operacionit në Karakas. Një precedent fort i ngjashëm, për shembull, është kapja e diktatorit panamez Manuel Noriegas nga forcat amerikane në vitin 1990. Ajo ngjarje ndodhi po ashtu në 3 janar, gjë që e bën të fortë gjasën që të jetë përzgjedhur data e njëjtë për ndërhyrjen në Karakas pikërisht për të vënë në dukje precedentin. Ka edhe ngjashmëri të tjera. Për shembull, mendohet se për kapjen e Maduros amerikanët kanë përdorur një armë sonike e cila i ka disfunksionalizuar pajisjet venezuelane që nuk kanë qenë në gjendje ta perceptojnë sulmin e as të mbrohen. Ka mundësi që kjo armë, ende sekrete, të ketë çaftësuar edhe truprojat e Maduros, që raportuan një zhurmë shurdhuese që u shkaktoi dhimbje paralizuese e probleme të tjera. Teksa departamentet ushtarake të botës tashmë janë duke studiuar intensivisht përdorimin dhe efektet e kësaj arme të re, duhet thënë se ajo përngjan me një variant shumë më të zhvilluar teknologjikisht të metodave që u përdorën për kapjen e Noriegas, i cili u strehua në ambasadën e Vatikanit në Panama. SHBA-ja kishte traktat me Vatikanin për respektimin e territorialitetit në ambasada, kështu që nuk mund të ndërhynin fizikisht. Për dhjetë ditë me radhë forcat speciale amerikane lëshuan muzikë heavy metal me volum shumë të lartë nga të gjitha anët e ambasadës, duke e bërë psikologjikisht të padurueshëm qëndrimin, andaj Noriega u dorëzua. Sidoqoftë, duhen vënë në dukje edhe dallimet e rëndësishme: Noriega nuk kishte qenë kurrë udhëheqës apo zyrtar i zgjedhur, por vetëm diktator ushtarak që impononte dhe vendoste se cili bëhej president ose edhe çdo pozitë tjetër të rëndësishme në Panama. Pushteti i tij u ngrit përmes bashkëpunimeve me SHBA-në, teksa përgjatë viteve të ’80-ta ai kishte bashkëpunuar haptazi me amerikanët dhe ishte i njohur si aset i CIA-s edhe përgjatë kohës që bandat e tij kontrollonin trafiqe të narkotikëve ose të armëve. Ai u kap nga amerikanët atëherë kur nuk u duhej më, kur të tjerë politikanë panamezë ofruan mundësi bashkëpunimi me më pak kosto. Por, sidoqoftë, ai nuk kishte qenë kurrë i zgjedhur dhe ky nuk është ndryshim i vogël në krahasim me Maduron, i cili organizonte, sidoqoftë, zgjedhje sipas afateve kushtetuese. Ekziston pajtueshmëri e gjerë me faktin se Maduro mund t’i ketë vjedhur dy palë zgjedhjet e fundit, është gjithashtu e dukshme se ai e përndoqi dhe e shtypi me dhunë opozitën, duke ia pamundësuar kandidimin dhe aktivitetin politik kryeopozitares Machado, e më pas duke e përzënë nga vendi edhe zëvendësin e saj Gonzales. Dihet gjithashtu se ai i shkelte rëndom marrëveshjet, ndër të cilat edhe ato me SHBA-në, që kishin për synim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Mirëpo, shumëkush tjetër në botë ka vepruar ose vepron kësisoj, e megjithatë në rastet e tjera kjo nuk ka mjaftuar si arsyetim që ndonjë vend të ndërhyjë e të arrestojë udhëheqësin. Edhe famëkeqin Millosheviq nuk e morën kësisoj, por u veprua ushtarakisht ndaj Serbisë për ta ndalur gjenocidin në Kosovë, ndërsa Millosheviqi u la në pushtet deri në momentin kur protestat popullore e detyruan të dorëhiqet. Vetëm kur u zhvesh nga fuqitë që rrjedhin prej të qenit i zgjedhur, u çua përpara gjyqit ndërkombëtar. Në këtë sens, ndërhyrja në Karakas dhe rrëmbimi i Maduros përbën një precedent që përhap frikë.

Në aspektin ushtarak, operacioni kishte treguar se SHBA-ja ka potencial të shkëlqyeshëm për të zbatuar goditje e ndërhyrje të tilla kudo në botë, por kjo gjë megjithatë ka qenë e ditur për shumë dekada dhe kurrë nuk është vënë në diskutim. Pjesa ku SHBA-ja nuk kaë shkëlqyer, kana qenë te luftërat e stërgjata e ato me intensitet të ulët, të tipit “war of attrition” apo “partisan war”, siç është treguar më parë në raste si Vietnami ose, jo fort larg në kohë, Afganistani. Mbase është edhe një lloj pranimi i nënkuptuar për këtë fakti që Trumpi vendosi thjesht ta arrestojë Maduron, por jo të nisë ndonjë proces që do të kërkonte angazhim të gjerë e afatgjatë.

Tri ditë pas operacionit “Vendosmëri Absolute”, presidenti amerikan Donald J. Trump doli në një konferencë ku me prepotencën karakteristike mori meritat për këtë sukses madhështor dhe të paprecedentë. Ai përmendi disa arsyetime për urdhrin që kishte dhënë. Në konferencë u tha se Maduro ishte i kërkuar nga sistemi amerikan i drejtësisë, ku ai ballafaqohet me akuza të natyrës penale. Mandej u shtua se Maduro ishte marrë me trafik droge. Qeverisja e tij ishte autoritare dhe shtypëse. Ai refuzonte të jepte akses preferencial në burimet e naftës për kompanitë amerikane.

Këto arsye janë analizuar nga ekspertë të ndryshëm të ligjit ndërkombëtar e të diplomacisë. Së pari, që për Maduron janë ngritur padi në Amerikë kjo konsiderohet si diçka e pamjaftueshme për ta arrestuar për sa kohë që ai mban një pozitë zyrtare udhëheqëse si president i një vendi sovran. Për vite me radhë, diktatorë të ndryshëm, ndaj të cilëve jo rrallë ka patur edhe padi ose kanë qenë të shpallur në kërkim, jo vetëm që nuk janë arrestuar në vendet e tyre teksa kanë qenë ende në detyrë, por u është dhënë edhe garanci se nuk do të preken as jashtë territoreve të tyre, sidomos kur kanë udhëtuar drejt Nju-Jorkut për të marrë pjesë në Asamblenë e OKB-së. Sa i përket çështjes së narkotrafikut, shumica e studiuesve të fushës pajtohen se Karakasi sidoqoftë është “lojtar i vogël” në tregtinë ndërkombëtare të drogës, e sidomos në atë që prek SHBA-në. I vetmi arsyetim për ndërhyrjen brutale ndaj një “lojtari të vogël” mund të jetë shndërrimi i tij në shembull që të tremben “lojtarët e mëdhenj”. Kur u vjen radha akuzave për regjim diktatorial e shtypës, nuk mund të mos vihet re se regjimi në fakt u la i paprekur, teksa sot vazhdon të qeverisë zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez, por edhe e gjithë kasta chaveziane bashkë me grupet e militarizuara që mbajnë nën kontroll popullatën dhe territorin. Pra, edhe argumenti i ndërhyrjes në emër të “përhapjes të demokracisë”, i cili nuk u tha, por ndoshta u nënkuptua kur u cilësua Maduro si diktator, nuk tingëllon bindës si arsye për ndërhyrjen.

Mbetet argumenti i burimeve nëntokësore, i naftës. Ky argument u potencua shprehimisht nga presidenti Trump, i cili siç duket nuk ka frikë nga shfaqja e SHBA-së si shtet grabitqar, madje ndoshta e dëshiron këtë imazh. Mbase, ai llogarit se mbështetësit dhe votuesit e tij galvanizohen nga besimi se avantazhi ushtarak dhe fuqia mund të përdoren haptazi e pa dert për të akumuluar pasuri. Çështja është se kjo bindje përmban në vetvete disa korolarë të rrezikshëm. E para, nuk duhet harruar se kapitalizmi si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë shtetëror, bazohet në një themel etik që merret në parim si i pandryshueshëm e i paprekshëm, e ajo aksiomë është “shenjtëria e pronës”, e cila është e ndërlidhur dhe shërben si bazë për shumë të drejta të tjera mbi të cilat ndërtohet konstitucioni civilizues perëndimor. Shtetet vazhdimisht i kanë marrë prona, asete e burime njëra-tjetrës, mirëpo gjithnjë janë kujdesur që kjo të mos shfaqet si arbitraritet i pastër. Edhe kur transferimi i pronës ka ndodhur si pasojë e luftërave, shtetet janë kujdesur që kjo të marrë një formë të traktatit, pas marrëveshjes së kapitullimit. Nëse instalohet në marrëdhëniet ndërkombëtare precedenti “se ashtu dua unë”, çka e pengon të njëjtin precedent të zbresë edhe në marrëdhëniet brendashtetërore, në një shoqëri si ajo e SHBA-së? Nëse i forti bën ç’të dojë e merr ç’të dojë, ekziston rrezik i madh për destabilizim e civilizimi rrezikon të bëjë një prapakthim disashekullor. Këto rreziqe ndoshta edhe kanë filluar të shfaqen në disa lokacione brenda SHBA-së. Përdorimi i forcës së tepruar nga trupat e policive kufitare dhe atyre kundër imigracionit ka çuar në arrestime e vrasje qytetarësh amerikanë dhe protestat po vijnë duke u përshkallëzuar. Arrestimi ose kontrolli pa mandat përbën një tjetër shkelje të së drejtës themelore, të “habeas corpus-it”, i cili po ashtu lidhet me “shenjtërinë e pronës”, sepse trupi e jeta, integriteti personal i njeriut, është prona e tij e parë që ia fal Zoti apo natyra. Filozofi e teologu amerikan Cornel Westi e ka quajtur këtë moment “negrizimi i Amerikës”. Teksa ne përpiqeshim që t’u jepnim njerëzve me ngjyrë të drejta të barabarta me të bardhët, pra “ta çnegrizonim Amerikën”, kjo administratë po i trajton edhe të bardhët ashtu si dikur zezakët, duke ua shkelur rëndom të drejtat themelore, pra duke e “negrizuar vendin”. Kjo temë meriton një trajtim më të gjatë, por këtu po mjaftohemi duke thënë se një situatë ku i forti bën dhe merr ç’të dojë, nuk premton stabilitet as së brendshmi për shtetet, e as së jashtmi për botën. Qysh prej lashtësisë klasike dihet se superfuqitë hegjemone janë ato që ofrojnë stabilitet, ndërsa ato më të voglat, që duan të rriten, mbase bëhen subversive e destabilizuese. Teksa duket sikur Trumpi po përdor metoda korporative për ta “downsize” Amerikën, duke i ndërprerë shumë prej programeve që mundësonin pushtetin e butë amerikan anembanë globit e duke u tërhequr prej shumë iniciativave ndërkombëtare, mosshqetësimi i tij për stabilitetin dhe përqafimi pa moskokëçarje i destabilizimit si realitet i ri, ndoshta e bëjnë Amerikën e tij të mos duket më si fuqi hegjemone, por si një shtet aspirant. Kjo është e rrezikshme, sepse shtetet e tjera, duke filluar që nga ato europianët që kanë mbetur të hutuar prej kërcënimeve trumpiane për Grenlandën, mund të kërkojnë për stabilitet në të tjera adresa. Një tjetër aleat i rëndësishëm brenda NATO-s, kryeministri kanadez Carney, duket se me qëllim e bëri të ditur se nëse Amerika nuk e ofron stabilitetin e pritur, atëherë do të detyrohen të gjejnë partnerë të tjerë, andaj vizitoi Pekinin përpara se të mbante një fjalim goxha të flaktë antitrumpian në Davos.

Ne, si shqiptarë, banorë të vendeve tona në juglindje të Europës, kemi interes të padiskutueshëm kombëtar në raportin me SHBA-në dhe në rendin botëror të ngritur mbi stabilitetin amerikan. E tillë është situata edhe gjerësisht në Europë, e sidomos në vendet e NATO-s, e cila është një aleancë sigurie e ndërtuar nga Amerika e rreth Amerikës, pra presioni destabilizues aty ndihet edhe më i fortë. A do të harrohen dot në të ardhmen kërcënimet e dala prej gojës së presidentit amerikan, me shaka apo jo, për pushtim të territoreve të vendeve aleate, si Grenlanda e Danimarkës apo si Kanadaja? A do të rikthehet mirëbesimi apo dyshimi tashmë i mbjellë do të rrijë aty gjithmonë? Nuk e dimë. Sidoqoftë e dimë se alternativa, Kina, e cila për momentin po rri e qetë dhe “në pritje”, mund të jetë e interesuar, por po ashtu dimë se neve nuk do të na interesonte kjo rrugë e re. Teksa ka rritje të ndjeshme ekonomike e teknologjike, Kina ende nuk premton garantim ose avancim të të drejtave dhe të qytetërimit. Përkundrazi, udhëheqësi Xi duket se ka bërë hapa pas, duke hequr kufizimet mbi numrin e mandateve që mund të mbajë si drejtues e duke e përqendruar pushtetin në dorën e vet, pra e kundërta e demokracisë. Prandaj shpresojmë edhe ne, bashkë me Europën, që Amerika megjithatë të mbetet ajo që e njohim, edhe pse gjasat s’duken reale. Në një nga takimet me udhëheqësin ukrainas, Zelensky, presidenti Trump e pyeti me nëntone kritike se pse nuk po mbajnë zgjedhje. E kur Zelensky u përgjigj se nuk kanë mundësi për shkak se janë në luftë, Trumpi u përgjigj, a thua se qe Arkimedi kur tha “eureka”: Pse kur ka luftë nuk u mbajtkan zgjedhje? Jo rrallë, me gjysmë seriozitet e gjysmë shaka, Trumpi ka lënë “batuta” për zgjedhjet e mid-termit të sivjetmë, se ndoshta nuk ka nevojë të mbahen fare, disa analistë mendojnë se popullariteti në rënie rrit mundësinë për humbjen e shumicës në kongres e senat, pra edhe gjasat për “impeachment”. Por, për momentin që flasim, këto mbeten vetëm në nivel spekulimesh analitike, andaj urojmë që të mos ecet në atë drejtim.

Sidoqoftë, duhet thënë se as synimi për të marrë naftën venezuelase nuk duket fort i mirëmenduar si arsyetim për ndërhyrjen. Së pari, duhet ditur se Maduroja, sidomos përgjatë muajve të fundit, vazhdimisht i ka ofruar Trumpit akses në burimet e naftës, si të dojë e kur të dojë. Pavarësisht shtetëzimit të disa industrive nga Hugo Chavezi, kompanitë amerikane nuk kanë qenë kurrë tërësisht të përjashtuara nga Venezuela, teksa gjigandi “Chevron” (dhe paraardhësit e tij) kanë vazhduar të nxjerrin naftë në atë vend për më se një shekull, pa asnjë ndërprerje. Pse, pra, ndërhyrja e 3 janarit? Javë më pas Trumpi i mblodhi drejtorët ekzekutivë të kompanive të mëdha amerikane të naftës, por në atë mbledhje nuk hasi entuziazmin që priste. Investimet e nevojshme për ta përditësuar teknologjinë në Venezuela kërkojnë dhjetëra miliardë dollarë dhe korporatat amerikane nuk ndihen mjaftueshëm të sigurta për të bërë investime të tilla, që kërkojnë parashikueshmëri e stabilitet. Pra, stabiliteti nuk duhet vetëm për të prodhuar besim te shtetet e te shoqëritë, por edhe te bizneset e korporatat. Kështu që, as arsyetimi se ndërhyrja është bërë për naftën, nuk qëndron deri në fund. Çfarë pra? Pse?

Në përmbyllje të arsyetimeve të veta Trumpi tha edhe diçka, që shumëkush mund ta ketë marrë si shaka: “Fundja mund ta kem bërë edhe ngaqë Maduro çohet dhe përpiqet të imitojë vallëzimin tim”. Është e vërtetë se në javët dhe muajt para se të arrestohej, në takime e tubime publike Maduroja lëvizte krahët në formë vallëzimi, pak a shumë siç kemi parë të bëjë edhe Trumpi. Mbase presidenti amerikan dhe ekipi i tij janë bindur se gjeste të tilla kanë patur synim përqeshës dhe tallës. Gazeta e rëndësishme amerikane “The New York Times” ka raportuar se edhe ky mund të jetë shkas për ndërmarrjen e kësaj ndërhyrjeje amerikane. Shpresojmë të ketë qenë vërtet shaka fjalia e Trumpit, e të mos jetë kështu siç paska shkruar NYT. Përndryshe, vaj halli edhe për një liri tjetër të rëndësishme, atë të fjalës, të cilën Amerika na e ka mësuar ta mbrojmë e ta duam si të shenjtë e qytetëruese.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button