Zv/kryeministri Sali pret ministren e Brendshme të Shqipërisë, Albana Koçiu: Në fokus projekti ONE STOP SHOP

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim zyrtar me Ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, ku në fokus ishin thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe projektet strategjike me interes të përbashkët.
“Në një takim konstruktiv me ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, diskutuam për bashkëpunimin mes dy vendeve tona”, ka bërë të ditur Sali.
Një nga temat kryesore të takimit ishte projekti ONE STOP SHOP, i cili pritet të lehtësojë qarkullimin ndërkufitar dhe të përmirësojë koordinimin institucional. Sipas Salit, zbatimi i këtij projekti do të nisë me fillimin e sezonit veror.
“Diskutuam projektin ONE STOP SHOP, i cili do të fillojë zbatimin me nisjen e sezonit veror, si dhe hapat konkretë për forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e investimeve ekonomike”, theksoi ai.
Zv/kryeministri Sali nënvizoi se dialogu i vazhdueshëm dhe angazhimi i përbashkët ndërmjet dy vendeve janë kyç për realizimin e projekteve që kanë ndikim afatgjatë në rajon.
“Me dialog të vazhdueshëm dhe angazhim të përbashkët, synojmë realizimin e projekteve që kontribuojnë në stabilitet, zhvillim ekonomik dhe perspektivë evropiane për rajonin”, deklaroi Sali.
Takimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe avancimit të agjendës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.



