Procesi drejt “Sirisë së Re” u formësua brenda 44 orëve

Operacioni i ushtrisë siriane ndaj rajoneve në perëndim të lumit Eufrat që ishin nën pushtimin e organizatës terroriste YPG/SDF përfundoi me marrëveshje pas 44 orësh, raporton Anadolu.
Bazën e procesit që çoi drejt “Sirisë së Re” e përgatitën sulmet e organizatës terroriste ndaj zonave të banuara civile në Halep.
Pas operacionit që ushtria siriane nisi më 8 janar dhe që zgjati rreth dy ditë, si pasojë e sulmeve të organizatës terroriste ndaj vendbanimeve civile në Halep, u sigurua kontrolli në lagjet Ashrafiyah dhe Sheikh Maqsoud të Halepit.
Meqë organizata terroriste kreu sulme ndaj vendbanimeve civile në Halep me mjete ajrore pa pilot kamikaze (UAV) dhe grumbulloi forca në rajon, ushtria siriane më 13 janar shpalli zona ushtarake rajonet që përfshinin Deir Hafir dhe Meskene, të vendosura në perëndim të lumit Eufrat.
Pavarësisht pengesave nga elementët e YPG/SDF-së, mbi 27 mijë civilë në rajon, kryesisht në Deir Hafir, u evakuuan përkohësisht falë korridorit humanitar dyditor të hapur nga ushtria siriane.
Ushtria siriane njoftoi se më 16 janar, rreth orës 22:00 sipas orës lokale, kishte nisur një operacion në rajonet e pushtuara në perëndim të lumit Eufrat.
Pa kaluar 24 orë nga nisja e operacionit, më 17 janar ushtria siriane rimori nga organizata terroriste rajonet Deir Hafir dhe Meskene.
Pas rimarrjes së Deir Hafir dhe Meskene, ushtria zgjeroi operacionin drejt rajonit Tabka, i vendosur po ashtu në perëndim të lumit Eufrat.
Më 17 janar, ushtria shpalli një zonë të re ushtarake në lindje të lumit Eufrat, duke sinjalizuar zgjerimin e operacionit deri në pikën zero të qendrës së qytetit Raqqa, e cila ishte nën pushtimin e YPG/SDF-së.
Pas këtij zhvillimi, po atë mbrëmje, njësitë siriane arritën deri në rreth 5 kilometra pranë hyrjes së qendrës së qytetit Raqqa.
Pas Deir Hafir dhe Meskene, kontrolli në qytetin strategjik Tabka, i vendosur në perëndim të lumit Eufrat, kaloi në duart e ushtrisë siriane në mëngjesin e 18 janarit.
– Fiset dhe banorët e rajonit mbështetën operacionet
Pas kalimit të kontrollit nga organizata terroriste te ushtria siriane në Deir Hafir, Meskene dhe Tabka, fiset dhe banorët lokalë në Deir ez-Zor dhe Raqqa u ngritën kundër organizatës terroriste dhe iu bashkuan operacioneve.
Fiset, më 18 janar, pastruan nga organizata terroriste të gjithë provincën Deir ez-Zor, e vendosur në lindje të lumit Eufrat, duke marrë kontrollin e rajonit.
Gjithashtu më 18 janar, fiset rimorën nga organizata terroriste zonën ku ndodhen Fusha e Naftës Omar dhe Fusha e Gazit Natyror Koniko, ndër qendrat më të mëdha energjetike të Sirisë në rajonin e Deir ez-Zor.
Pas Deir ez-Zor-it, edhe në Raqqa, fiset dhe banorët lokalë u ngritën dhe nisën luftën kundër organizatës terroriste. Fiset dhe banorët lokalë, më 18 janar, çliruan në masë të madhe qendrën e qytetit Raqqa nga organizata terroriste.
Snajperë të organizatës terroriste hapën zjarr ndaj civilëve që festonin sigurimin e kontrollit në masë të madhe në qytet. Në sulme u vranë të paktën 4 civilë dhe u plagosën shumë të tjerë.
– Ushtria siriane kaloi në lindje të lumit Eufrat
Pas kryengritjes së fiseve dhe banorëve lokalë në Deir ez-Zor dhe Raqqa dhe sigurimit të kontrollit në qendrat e qyteteve, ushtria siriane më 18 janar nisi të kalojë edhe në lindje të lumit Eufrat.
Njësitë e ushtrisë, në orët e mbrëmjes, hynë në qendrën e qytetit Raqqa, ku fiset dhe popullsia kishin siguruar në masë të madhe kontrollin.
Përveç kësaj, ushtria siriane më 18 janar hapi dy fronte nga rajoni Tel Abyad në kufi me Turqinë drejt zonave rurale të Raqqa-s dhe drejt Hasakah-ut.
Me këto operacione, kontrolli në shumë rajone që prej kohësh ishin nën pushtimin e organizatës terroriste, veçanërisht në Deir ez-Zor, Raqqa dhe Deir Hafir, kaloi në duart e administratës siriane.
– Operacioni përfundoi me Marrëveshjen e Armëpushimit dhe Integrimit të Plotë
Operacioni i ushtrisë siriane, që zgjati rreth 44 orë, përfundoi me Marrëveshjen e Armëpushimit dhe Integrimit të Plotë të nënshkruar mes administratës së Damaskut dhe YPG/SDF-së.
Në një deklaratë me shkrim të bërë më 18 janar në orën 18:00 sipas orës lokale, administrata e Damaskut njoftoi se presidenti sirian, Ahmed el-Sharaa, kishte nënshkruar një marrëveshje që përfshin armëpushimin dhe integrimin e plotë të organizatës terroriste YPG/SDF.
Sipas marrëveshjes, u vendos shpallja e menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse e armëpushimit në të gjitha frontet dhe linjat e kontaktit mes forcave siriane dhe YPG/SDF-së, tërheqja e të gjithë anëtarëve të organizatës në lindje të Eufratit, dorëzimi i menjëhershëm dhe i plotë administrativ e ushtarak i provincave Deir ez-Zor dhe Raqqa qeverisë siriane, si dhe integrimi i të gjitha institucioneve civile në provincën Hasakah, që ndodhej nën pushtimin e organizatës, në institucionet shtetërore dhe strukturat administrative siriane.
Sipas marrëveshjes, të gjitha burimet energjetike dhe pikat kufitare do të kalojnë nën kontrollin e shtetit dhe elementët e YPG/SDF-së do të integrohen në kuadrot e forcave të sigurisë siriane. Pra, SDF teknikisht do të shpërbëhet.
Elementët e armatosur rëndë të YPG/SDF-së në Ayn al-Arab do të shpërbëhen dhe do të krijohet një forcë sigurie nga banorët lokalë, e cila do të jetë e lidhur me Ministrinë e Brendshme të Sirisë.
Në marrëveshje po ashtu thuhet se të gjithë anëtarët jo-sirianë të PKK-së do të nxirren jashtë vendit dhe se kampet e organizatës terroriste DEASH (ISIS) nën kontrollin e YPG/SDF-së do t’i dorëzohen administratës siriane.
– Ushtria siriane siguroi kontrollin në Digën Tishrin në lindje të lumit Eufrat
Pas marrëveshjes, operacionet në vijën e frontit përfunduan dhe në rajon mbizotëron përgjithësisht qetësia.
Ndërkaq, ushtria siriane, së fundmi, këtë mëngjes mori nga organizata terroriste, pa përplasje, edhe Digën Tishrin në jugperëndim të Manbij-it.



