Gashi: Kuvendi miratoi anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor dhe verifikoi mandatin e një deputeti

Në Seancën e 80-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë shqyrtuar dhe miratuar disa pika të rëndësishme të rendit të ditës, njoftoi kryeparlamentari Afrim Gashi.

Sipas tij, deputetët kanë miratuar propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor, të paraqitura nga Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, e cila edhe iu drejtua Kuvendit për të arsyetuar këto kandidatura.

“U miratuan propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të paraqitura nga Presidentja e shtetit, znj. Gordana Siljanovska Davkova,” thuhet në njoftimin e kryeparlamentarit.

Me këtë vendim, Arlinda Kadri-Shahinoviq dhe Suzana Joshevska-Anastasovska u zgjodhën anëtare të Këshillit Gjyqësor, organ kyç për funksionimin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi ka ndërmarrë edhe një tjetër vendim procedural.

“Gjithashtu, u verifikua mandati i deputetit Zeqirija Tahiri,” njoftoi Gashi.

Ai theksoi se Kuvendi vazhdon punën në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, duke trajtuar çështje që kanë rëndësi për funksionimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit në vend.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button