(VIDEO) MPB: Dy punonjës të A1 shpëtohen pas bllokimit nga bora në Mavrovë

Dy punonjës të operatorit celular A1 janë shpëtuar me sukses pas disa orësh të bllokuar nga bora në zonën malore mbi fshatin Lazaropole të komunës Mavrovë-Rostushë, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

“Sipas raportimit të pranuar mbrëmë në ora 23:30, dy persona të punësuar në operatorin A1 kishin mbetur të bllokuar nga bora në afërsi të stacionit bazë të operatorit, ndërsa për shkak të mungesës së rrjetit celular nuk ishte e mundur të vendosej kontakt me ta”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Menjëherë pas denoncimit, në terren janë angazhuar njësi të specializuara të policisë dhe ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

“Në aksion u përfshinë pjesëtarë të Njësisë për Operacione Speciale Policore, të Policisë së Uniformuar dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët me automjete terreni të pajisura me slita për borë dhe pajisje shpëtimi u nisën drejt vendit të ngjarjes”, thekson MPB-ja.

Operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar me sukses në orët e mëngjesit.

“Sot në ora 08:30, personat janë gjetur dhe janë nxjerrë në gjendje të mirë shëndetësore”, njofton MPB-ja, duke sqaruar se bëhet fjalë për G.N. (47) dhe M.M. (37) nga Shkupi, të cilët udhëtonin me një automjet ‘VW Amarok’ me targa të Shkupit.

Sipas autoriteteve, ata janë lokalizuar në zonën e njohur si “Koritnik”, pranë transmetuesit të rrjetit të A1, në territorin e fshatit Lazaropolë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button