QMK: Janë përmbytur ara, oborre, shtëpi dhe magazina, si dhe rrëshqitje të vogla dheu në disa akse rrugore

Qendra për Menaxhimin e Krizave njoftoi sot se në Komunën e Demir Hisarit, për shkak të dëmtimit të një ure mbi lumin Boishka, është mbyllur për qarkullim rruga lokale drejt fshatit Mrenogë. Ndërmarrja Publike “Komunalec” po ndërhyn në lagjen Murgashevë me zgjerimin e shtratit të lumit. Është raportuar dalja nga shtrati e lumit pranë fshatit Obednik dhe mes fshatrave Obednik dhe Smilevë. Për situatën po veprojnë Qendra Rajonale e QMK-së dhe njësia e vetëqeverisjes lokale e Demir Hisarit.
Resnjë
Janë përmbytur sipërfaqe bujqësore, oborre, shtëpi dhe magazina. Niveli i lumit Golema Reka është rritur. Ndërmarrjet publike dhe autoritetet lokale të Resnjës po ndërhyjnë me pompa dhe mekanizëm ndërtimor për nxjerrjen e ujit dhe pastrimin. Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Resnjë po merr pjesë në pompimin e ujit nga bodrumet.
Krushevë
Uji i pijshëm në Krushevë është i turbullt dhe rekomandohet zierja e tij. Lumi Crna ka nivel të rritur, por të qëndrueshëm. NP “Komuna” po përforcon digat. Po ndiqet gjendja e lumit të Krushevës në koordinim me Komunën e Krivogashtanit.
Dollnen
Në fshatin Lazanë është raportuar dëmtim i oborrit dhe i hapësirave në përdhes. Në fshatin Peshtalevë ka përmbytje për shkak të kanaleve të papastruara. Është ndërhyrë me mekanizëm ndërtimor.
Ohër
Lumi Sushicë ka dalë nga shtrati në disa lokacione, duke përmbytur oborre dhe bodrume. Shtabi i krizës dhe NP “Higjiena Komunale – Ohër” po ndërhyjnë me mekanizëm, hedhje dheu dhe zgjerim të shtratit të lumit. Pranë fshatit Vapilë, lumi Daljan po dëmton rrugën nën urë dhe po kryhen masa mbrojtëse me mekanizëm. Është evidentuar edhe një rrëshqitje dheu në aksin Leskoec – Skrebatno.
Strugë
Janë përmbytur oborre dhe shtëpi në rrugën Misleshevski, si dhe në fshatrat Misleshevë dhe Kalishtë. Njësia Territoriale e Zjarrfikësve në Strugë po ndërhyn me pompa, ndërsa është angazhuar edhe mekanizëm ndërtimor. Komuna e Strugës është njoftuar për gjendjen.
Dibër
Lumi Radikë ka nivel të rritur, por të qëndrueshëm. Akset rrugore janë të kalueshme. Po pastrohen rrëshqitje të vogla dheu nga shërbimet kompetente.
Kërçovë
Lumenjtë Zajaska dhe Treska kanë nivele të rritura të ujit, por janë nën nivelin e daljes nga shtrati. Kritike është rruga Prilepska. Po pastrohen kanalet dhe shtrati i lumit Zajaska me mekanizëm ndërtimor dhe të rëndë. Rreth 150 persona janë evakuuar dhe janë strehuar në sallën sportive “Hristo Uzunov”, ku po kujdesen nga Komuna dhe Kryqi i Kuq i Kërçovës.
Gostivar / Tetovë
Në rrugën Tumçevishte – Çegran ka ujë në karrexhatë dhe rruga është e pasigurt. Janë njoftuar stacionet policore të Gostivarit dhe Çegranit, si dhe Komuna e Gostivarit.
Rajone të tjera
Gjendja është stabile, me nivele të rritura të ujit, por pa dalje nga shtrati dhe pa çrregullime.



