Hafiz Ali Podgorica, mik i Ismail Qemalit – personalitet i harruar i shpalljes së pavarësisë

“Ai e mori në dorë flamurin kombëtar dhe duke e përkëdhelur e me një gëzim, që i buronte nga thellësia e shpirtit, e ngriti mbi konakun e administratës së Durrësit. Ishte Hafiz Ali Podgorica” (Hajredin Isufi, Feja dhe Flamuri: Dom Nikollë kaçorri, Pegi, Tiranë, 2008, f. 336).
Nuridin AHMETI, Prishtinë
Shkollimi dhe veprimtaria
Nga kërkimet për biografinë e këtij personaliteti dhe nga vetë mbiemri kuptohet se ishte nga Podgorica. Siç rezulton nga të dhëna të pakta që ekzistojnë për të, Ali Podgorcia kishte lindur në Podgoricë më 1855, sot kryeqendra e Malit të Zi. Kishte mbetur jetim në moshë të re pa dy prindërit. Dërgohet nga të afërmit për shkollim në Shkodër për dije islame. Meqë në Shkodër aso kohe ekzistonin edhe kushte ideale për shkollimin në fushën e dijes islame, Aliu, së bashku me shkollimin, do ta memorizojë edhe Kuranin, e rrjedhimisht do të pajiset edhe me titullin e “Hafizit”. Destinaconi i shkollimit të tij të mëtutjeshëm, në kërkim të dijes fetare islame dhe fushës juridike, do të jetë Stambolli. Periudha e qëndrimit të tij në Stamboll nga ai shfrytëzohet për fushën e dijes dhe përgatitjes në aspektin kombëtar, sepse – siç edhe dihej – në Stamboll në këtë periudhë vepronin edhe një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve tanë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Ismail Qemali, Jani Vreto, Vëllezërit Frashëri etj., prej të cilëve sigurisht se do të marrë ndihmë intelektuale, e me vonë edhe logjistike. Me kthimin e tij në Shkodër, do t’i përkushtohet punës së avokatit, ndërsa më vonë me transferimin e tij në Durrës do ta gjejmë edhe në postet e kadiut dhe të myftiut.
Gjatë periudhës 1905-1909 në Durrës, por edhe me gjerë, janë të njohura klubet me karakter kombëtar “Vëllazëria” dhe “Bashkimi”. Në këto dy klube, si njëri nga anëtarët, ai në vazhdimësi jepte kontributin e tij në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe i inkurajonte masat në përkrahje të veprimtarëve të lëvizjes sonë kombëtare.
Nga angazhimi i gjithmbarshëm i tij dhe duke e parë ndikim që kishte në masën ku jetonte dhe vepronte, shokët e tij e propozuan që ta përfaqësonte Durrësin në Kongresin e Dibrës, më 1909. Po në këtë vit, Hafiz Aliu zgjidhet kryetar i Bashkisë së Durrësit, ku do të luajë rol të rëndësishëm në unitetin fetar dhe kombëtar. Për unitetin fetar, ai do të bashkëpunojë edhe me priftërinj katolikë, siç ishte rasti me Dom Nikollë Kaçorrin, por edhe me prijës ortodoksë shqiptarë, të cilët vepronin aso kohe në Durrës dhe rrethinë.
Në dokumentet zyrtare te kohës, emri i Hafiz Aliut evidentohet edhe në raportin e nënkonsullit austro-hungarez nga Durrësi, z. Rudnay, i cili në muajin shkurt të vitit 1912, tek sa po e njoftonte kontin Berchtold në lidhje me aktivitetin e Esat Pashës në Durrës dhe pozitën e xhonturqve në fushatën zgjedhore, shkruan se është rizgjedhur në mënyrë unanime Hafiz Aliu, “kryetar i bashkisë së Durrësit”. Por, ky personalitet, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë në Durrës, sipas raporteve austro-hungareze, do t’i drejtohet në emër të popullit të Durrësit, deputetit të parlamentit osman, Esat Pashës, që t’ia përcjellë Sulltanit dhe parlamentit falënderimet për marrjen parasysh të kërkesave të shqiptarëve. Por, ajo që e ka bërë të njohur këtë personalitet në masë të gjerë është edhe kontributi i tij në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Durrës, më 1912. Të dhënat historiografike tregojnë se veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare e kishin paraparë Durrësin si qytet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, mirëpo rrethanat me të cilat gjendej Durrësi aso kohe e kishin bërë të pamundur të bëhej një akt i tillë, andaj si vend më i përshtatshëm për një akt të tillë u caktua Vlora.
Hafizi i mikpritjes dhe i flamurit
Në kohën kur po flasim, i pari i Durrësit ishte Hafiz Aliu dhe ky, pa hezitim, veprimtarëve të lëvizjes sonë kombëtare, që erdhën nga Europa dhe zbritën në Durrës, në krye me Ismail Qemalin, u organizoi pritje dinjitoze. Në pamundësi për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë në Durrës, Hafizi Aliu do ta nënshkruajë aktin e caktimit të delegatëve të Durrësit për të marrë pjesë në Vlorë, ndërsa më 26 nëntor të vitit 1912, që i bie dy ditë para shpalljes së pavarësisë në Vlorë, me 28 nëntor 1912 Hafiz Aliu, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, e ngriti flamurin kombëtar në ballkonin e bashkisë. Kjo ngjarje bëri jehonë te masa e gjerë dhe njëkohësisht ishte aprovim i aktit të shpalljes së pavarësisë, që do të ndodhte dy ditë më vonë në Vlorë.
Në përvjetorin e parë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1913, krerët fetarë shqiptarë ishin tubuar në Durrës për ta shënuar këtë përvjetor, në mesin e organizatorëve të cilët do të mbajnë fjalime ishte edhe Hafiz Ali Podgorica. Aktin e ngritjes së flamurit kombëtar në ballkonin e Bashkisë së Durrësit, më 26 nëntor 1912 nga Hafiz Ali Podgorica, disa nga studiuesit e përshkruajnë, në këtë mënyrë: “Ai e mori në dorë flamurin kombëtar dhe duke e përkëdhelur e me një gëzim, që i buronte nga thellësia e shpirtit, e ngriti mbi konakun e administratës së Durrësit. Ishte Hafiz Ali Podgorica”.
Në vitet e mëvonshme, Hafiz Aliu ishte përkrahës i ideve të Fan Nolit, andaj me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet më 1924, ky personalitet, më 1926 dëbohet nga pushteti në Kavajë.
Ndërroi jetë në vitin 1929.
Hafizi i anashkaluar dhe harruar
Është për t’u habitur se as në revistën “Zani i naltë” të vitit 1929, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar aso kohe, nuk e gjemë si lajm vdekjen e Hafiz Aliut
Drejtuesit e kësaj reviste, më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912, një numër të veçantë ua kushtuan krerëve fetarë mysliman të të gjitha krahinave shqiptare që kishin dhënë kontribut në aspektin fetar e kombëtar. “Veteranët e klerit Musliman” e kishin titullar këtë numër përkujtimor drejtuesit e kësaj reviste. Brenda kësaj reviste janë shënuar emrat dhe biografitë e shumë personaliteteve fetare myslimane shqiptare që kishin kontribuar në rrafshin kombëtar. Çuditërisht, as këtu nuk e hasim emrin e Hafiz Aliut. Siç duket, internimi i tij nga regjimi i Zogut kishte reflektuar edhe te drejtuesit e kësaj reviste.
Këtu duhet potencuar se një pjesë e krerëve fetarë myslimanë në këtë kohë u rreshtuan përkrah Fan Nolit dhe programit të tij të paraqitur për qeverisje.
Me gjithë këtë gamë veprimtarish, emri i Hafiz Aliut nuk figuron si zë në enciklopeditë tona. Në vitin 1985, në Tiranë botohet “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, po atë nuk e hasim si zë enciklopedik. Gjithashtu, edhe në vitin 2008-2009 botohet në Tiranë “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, në tri vëllime, por as aty nuk përfshihet emri i tij.
Në qoftë se vështrohet kontributi i tij në të gjitha rrafshet e lartpërmendura, atëherë do të duhej që historiografia jonë zyrtare t’i bëjë vend edhe këtij personaliteti. Kur i shfleton botimet në gjuhën tonë, has figura që, krahasuar me Hafiz Aliun, veprimtaria e tyre është shumë më minore. Por, ata figurojnë në një fare mënyre ose tjetër në botimet e institucioneve tona. Në këtë drejtim, duhet ta mbajnë peshën e fajësisë edhe komunitetet fetare islame në Tiranë, Prishtinë e Shkup për moszbardhjen në nivel të kënaqshëm të këtyre figurave. Në qoftë se janë mjaftuar disa komunitete fetare islame, që kanë bërë punë të mjaftueshme duke botuar një artikull, atëherë duhet t’u behët me dije se kjo është e pamjaftueshme. Për figura të tilla duhet të kalohet në stadin e studimeve monografike nga njerëzit profesionistë, të cilët i njohin burimet arkivore dhe literaturën përkatëse.
Përfundim
Nga dokumentacioni dhe literatura e shfletuar, kuptohet se kontributi i Hafiz Ali Podgoricës në të mirë të popullit të tij shtrihet kryesisht në tri rrafshe, në atë islam, për çka ishte i shkolluar, në atë arsimor e pedagogjik, si dhe në rrafshin kombëtar, për çka e ndjeu si obligim në rrethanat për të cilat ishte vendi. Bashkëpunimi intensiv, nga vitit 1905, me veprimtarë të çështjes kombëtare, dhe sidomos më Dom Nikoll Kaçorrin, atij ia dhanë epitetin edhe të unifikuesit të shoqërisë sonë, e cila në atë kohë kishte shumë nevojë. Gjatë viteve 1910-1912, kur edhe u intensifikuan veprimet kryengritëse kundra xhonturqve, ai mbeti njëri nga përkrahësit e vendosur të veprimtarëve tanë.
Fatkeqësisht, Hafiz Aliut, edhe përkundër kontributit të tij të dukshëm në aspektin kombëtar e fetar, historiografia jonë edhe sot nuk ia ka dhënë vendin e merituar, për të mos thënë se në botimet është anashkaluar fare. Për këtë veprimtar të çështjes kombëtare dhe fetare, masa e gjerë te ne kuptuan më shumë me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 2012, kur edhe u botua një përmbledhje me 100 personalitet shqiptare të kulturës islame, Hafizit i bënë hapësirë në disa faqe.
Pavarësisht se figura të tilla anashkalohen në momente të caktuara, për kontributin e tij do të gjenden njerëz e institucione për ta përkujtuar. Nga hulumtimet, e kuptojmë se emrin e tij e mban me krenari një institucion shkollor në Shqipëri (https://alipodgorica.com/#about-us).
Por, nuk duhet harruar se veprimtarët të cilët e mbajtën mbiemrin Podgorica dëshironin të identifikoheshin me rrënjët e tyre. Ata kujtohen edhe sot me nderim, sepse kanë lenë gjurmë në historinë tonë kombëtare. Bie fjala, Hasan efendi Podgorica, një kontribuues i vendosur në rrafshin fetar e kombëtar, shërbeu në Shkodër, dhe ishte njëri nga firmëtaret, të cilët e nënshkruan protestën drejtuar Kongresit Berlinit më 1878 për moslejimin e copëtimit të tokave shqiptare.
Një emër tjetër, gjithashtu, me kontribute të çmuara kombëtare e fetare, të cilin sot e përmendim me nderim e respekt, është veprimtari Jusuf efendi Podgorica, i cili ishte prej mendjeve të ndritura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 dhe delegat i Shkodrës në këtë organizim, por edhe deputet në parlamentin osman. Ai ishte njëri nga kontribuuesit në ndërkombëtarizmin e çështjes shqiptare në këtë periudhë, veprimtar e diplomat i dalluar i kësaj periudhe. Jemi të bindur se numri i kontribuuesve në rrafshin kombëtar të kësaj ane është edhe më i madh se emrat të cilët i apostrofuam këtu, andaj besojmë se në të ardhmen do të vihen në pah edhe emra të tjerë.



