Janevska: Cilësia në arsimin e lartë nuk është vetëm për shkak të Listës së Shangait, por për t’i ndihmuar shtetit

Është e rëndësishme të flasim për cilësinë e arsimit tonë të lartë, por edhe të ndërmarrim veprime konkrete për përmirësimin e tij të vazhdueshëm, harmonizimin me standardet evropiane dhe përafrimin me nevojat reale të tregut të punës dhe të shoqërisë në tërësi, theksoi ministrja Vesna Janevska në fjalimin e saj në Forumin e parë vjetor për cilësinë në arsimin e lartë organizuar nga Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup.

Në kohë sfidash ekonomike, teknologjike dhe shoqërore, nevojiten universitete që krahas dijes dhe aftësive, i përgatisin studentët për të punuar në kushte të konkurrencës globale dhe ndryshimeve të shpeshta.

Janevska potencoi se kjo Qeveri është e vetëdijshme për domosdoshmërinë e reformimit të nivelit më të lartë të arsimit dhe për këtë arsye po ndërmerr masa dhe aktivitete konkrete të drejtuara drejt ndryshimeve sistematike.
“Po punojmë në mënyrë aktive në përgatitjen e zgjidhjeve të reja ligjore për arsimin e lartë dhe për veprimtarinë kërkimore- shkencor. Ligjet, më vete, nuk mund ta çojnë universitetin më lart në Listën e Shangait, por nëse bashkësia akademike përfshihet së pari në miratimin e tyre dhe më pas i respekton, do të jemi në gjendje të ndërtojmë arsim të lartë me cilësi më të lartë“, theksoi ministrja Janevska.

Në fjalimin e saj, Janevska theksoi hapat konkret që po i ndërmerr Ministria e Arsimit dhe Shkencës për përmirësimin e produktivitetit shkencor dhe integrimin e komunitetit akademik maqedonas në hapësirën kërkimore globale.

Bazat e të dhënave shkencore Web of Science dhe Scopus janë në dispozicion falas për profesorët, shkencëtarët dhe studentët në universitetet publike këtë vit. Buxheti për shkencën është rritur nga 380 në 680 milionë denarë dhe këtë vit, për herë të parë në shumë vite u dhanë 374 milionë denarë përmes tre thirrjeve për projekte shkencore dhe kërkimore në institucionet publike të arsimit të lartë dhe shkencore, ASHAM dhe komunitetin e biznesit. Stafi akademik është shumë i respektuar, ndërsa pagat e profesorëve universitarë janë rritur me 14 për qind që nga janari.

Zgjerimi i hapësirës akademike solli sasi, por jo cilësi. Realizuam kontrolle serioze në institucionet e arsimit të lartë dhe shkencore, dhe rezultati është: 14 institute shkencore private dhe 1 fakultet privat u mbyllën, për shkak të parregullsive në punën e tyre dhe mosveprimit ndaj vërejtjeve të bëra nga Inspektorati i Arsimit dhe MASH-i.

“Kjo nuk është fushatë, por do të jetë aktivitet i vazhdueshëm,” sqaroi ministrja Janevska, duke shtuar se do të pasojë reforma e Agjencisë për Cilësinë e Arsimit të Lartë, si dhe krijimi i parkut të parë shtetëror shkencor-teknologjik në Maqedoni.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button