Putini pajtohet me Aliyevin

Një vit pas tragjedisë ajrore që i mori jetën 38 personave, presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar për herë të parë para homologut të tij azer, Ilham Aliyev, se dy raketa ruse ishin shpërthyer pranë avionit të kompanisë “Azerbaijan Airlines”, duke shkaktuar rrëzimin e tij tragjik.
Në një video të publikuar të enjten, të dy liderët shihen duke buzëqeshur e shtrënguar duart para takimit të tyre në Taxhikistan, por pas kamerave, Putini i ka rrëfyer Aliyevit detajet dramatike të incidentit që ndodhi më 25 dhjetor të vitit të kaluar.
“Dy raketa të mbrojtjes sonë ajrore shpërthyen disa metra larg aeroplanit tuaj, pasi dronët ukrainas kishin hyrë në hapësirën tonë ajrore,” – i tha Putini Aliyevit, sipas agjencisë Reuters.
Aeroplani, me numër fluturimi J2-8243, ishte nisur nga Baku drejt Groznyt, por ndryshoi kursin për shkak të sulmeve me dronë në Rusinë jugperëndimore. Ai u rrëzua pranë Aktau, në Kazakistan, pasi përfshihej në një zonë të mbrojtjes ajrore aktive. Nga ngjarja mbetën të vdekur 38 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Pas incidentit, Kremlini e quajti rastin një “incident tragjik”, dhe Putin bëri një kërkimfalje publike të rrallë, duke pranuar përgjegjësi të pjesshme.
Këtë herë, ai shkoi edhe më tej:
“Gjithçka që kërkohet në raste të tilla tragjike do të bëhet nga pala ruse. Do të ketë kompensim dhe vlerësim ligjor të plotë,” – tha Putini.
“Është detyra jonë të japim një vlerësim objektiv dhe të zbulojmë shkaqet e vërteta,” – shtoi ai.
Nga ana tjetër, presidenti Ilham Aliyev kishte reaguar ashpër menjëherë pas rrëzimit, duke akuzuar Moskën për mungesë transparence dhe përpjekje për të fshehur fajtorët e vërtetë.
Sipas burimeve diplomatike, takimi i fundit midis dy liderëve shënon përpjekjen e parë serioze për normalizimin e marrëdhënieve pas tensioneve që shpërthyen nga kjo tragjedi që tronditi opinionin publik në të dy vendet.



