Mexhiti dhe Vardar prezantuan Master Planin për Çairin – vizion gjithëpërfshirës për një komunë moderne, funksionale dhe me identitet të fortë urban

Kandidati i VLEN-it për komunë e Çairit, Izet Mexhiti, sot së bashku me urbanistin Bajram Vardar kanë prezantuar “Master Plan”-in për Çairin.
“Ishte kënaqësi që bashkë me urbanistin Bajram Vardar të prezantojmë “Master Plan”-in për Çairin, që ofron një qasje model për një zhvillim të qëndrueshem e gjithëpërfshirës.
Siç e prezantuam edhe para mediave, plani është produkt i një pune ekipore të ekspertëve nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut, duke i hapur rrugë transformimit të Çairit me një infrastrukturë moderne, gjelbërim, hapësira kulturore e qendra të reja arsimore e rinore.
I mbështetur në shtatë shtylla, “Master Plani”-i përfshin ofrimin e zgjidhjeve për komunikacionin, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit e ekonomisë, fuqizimin e arsimit, kulturës, sportit dhe artit.
Në fokus të planit janë zgjidhjet konkrete për lehtësimin e komunikacionit dhe modernizimin e infrastrukturës. Vizioni parasheh ndërtimin e bulevardit “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, duke mundësuar lëvizjen nga Autokomanda në drejtim të Sarajit pa kaluar nëpër Çair. Gjithashtu, parashikohet zgjerimi i bulevardeve “Mithat Frashëri” (brigada Maqedonase-Kosovare), “Xhon Kenedi” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe shpërthimi i nyjeve kyçe që do të mundësoj lehtësimin e qarkullimit. Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i rrethit të komunikacionit përreth parkut- pyll Gazi Babë.
Përveç rivitalizimit të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, që do ta kthejë lagjen Tophane në një monument ikonik për qytetin dhe atraktiv për turistët, plani parasheh krijimin e pesë mijë vendeve të reja të parkimit.
Ndërtimi i një kampusi bashkëkohor për Universitetin “Nënë Tereza” e “Qendrës Moderne Tophane” janë pjesë thelbësore e transformimit të paraparë me “Master Plan”-in.
Është nder jetësor e krenari e paharruar prezantimi i këtij plani me hapa konkrete e të detajuar, të projektuar nga ekspertë me renome. Jeta jonë është ndërtuar e frymëzuar nga Çairi, e tash është koha që përmes “Master Plan”-it të shumëfishojmë shkëlqimin e diamantit tone”, ka deklaruar Mexhiti.