Macron – Trumpit: Çmimi Nobel për Paqe është i mundur vetëm nëse ndalet lufta e Izraelit në Gaza

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Franca është e gatshme të përgjigjet nëse Izraeli vendos sanksione ndaj saj për shkak të njohjes së shtetit të Palestinës.

“Nëse do të ndodhte, do të përgjigjeshim; do të ishim gati. Jemi gati për gjithçka. Por unë besoj se në këtë moment duhet të zgjedhim një rrugë paqeje dhe një rrugë miqësie,” tha Macron për transmetuesin BFM TV të martën.

Duke komentuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për dëshirën e tij për paqe dhe përpjekjen për të fituar Çmimin Nobel të Paqes për zgjidhjen e konflikteve, Macron tha me ton të prerë: “Çmimi Nobel i Paqes është i mundur vetëm nëse ndalet ky konflikt. Prandaj, duhet ushtruar presion mbi qeverinë izraelite që të ndalë konfliktin në Gaza.”

Ajo që nevojitet është vetëm “vullnet politik,” shtoi ai.

I pyetur për mundësinë e sanksioneve izraelite ndaj Francës për shkak të njohjes së shtetit të Palestinës, ai tha se Franca ka planifikuar për “çdo opsion të mundshëm”.

“Nëse lufta vazhdon gjithashtu në qytetin e Gazës, nëse ushtritë vazhdojnë të shtyjnë përpara dhe të vrasin civilë, ne nuk mund të mbetemi pasivë,” tha gjithashtu Macron, duke theksuar se presioni amerikan mbi Izraelin do të ishte “vendimtar”.

Luftë e përhershme

Macron theksoi se Tel Avivi “nuk ka më” një plan dhe se ai “dënon” popullin e vet të jetojë në “luftë të përhershme” nëse projekti i Izraelit është shkatërrimi i fqinjit të tij.

“Përballë kësaj situate, ka një person që mund të bëjë diçka: presidenti amerikan. Dhe pse mund të bëjë ai më shumë sesa ne? Sepse ne nuk furnizojmë me armë që e bëjnë të mundur luftën në Gaza. Ne nuk japim pajisje për të bërë luftë në Gaza. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po,” shtoi ai.

“Unë besoj se mobilizimi që kemi nisur ndihmon në rritjen e presionit mbi Izraelin dhe gjithashtu mbi qeverinë e kryeministrit Netanyahu. Por ndihmon gjithashtu për t’u treguar të gjithë izraelitëve se ky është një projekt paqeje, që duam ta realizojmë bashkë me ta,” tha Macron.

Luksemburgu, Belgjika, Andorra, Franca, Malta, Monako dhe San Marino njohën shtetin e Palestinës të hënën gjatë një samiti të nivelit të lartë në Nju Jork, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ky hap erdhi një ditë pasi Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia shpallën njohjen, duke e çuar në 159 numrin e vendeve që e kanë njohur Palestinën nga 193 shtete anëtare të OKB-së që prej shpalljes së saj nga udhëheqësi i ndjerë palestinez, Jaser Arafat, në vitin 1988.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button