Mexhiti prezanton fazën e re të portalit të shërbimeve publike

Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, bashkë me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, prezantuan sot në Sheshin Skënderbeu fazën e re të portalit të shërbimeve publike.
“Ky portal tani ofron më shumë mundësi se kurrë. Me vetëm disa klikime nga kompjuteri ose telefoni, në çdo kohë dhe nga çdo vend, mund të aplikoni, të paguani dhe të përfundoni shërbimet online”, tha Mexhiti.
Ai theksoi se portali është në dispozicion 24/7 dhe në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht.
“Ky portal është krijuar për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe kompanive”, shtoi ai.
Sipas tij, qytetarët tashmë mund të marrin online shërbime si ekstrakte, certifikata, letërnjoftime, dokumente udhëtimi apo shërbime nga Kadastra. Ndërsa për kompanitë, janë mundësuar licencat, vërtetimet për stazh dhe punësim, vërtetimet gjyqësore dhe shërbimet nga Agjencia e Ushqimit.
Një fokus i veçantë është edhe tek studentët.
“Për të përfituar vauçera për pajisje elektronike si laptopë apo kompjuterë, studentët duhet të regjistrohen në këtë portal dhe të aplikojnë vetëm online, duke ndjekur statusin e aplikimit në kohë reale, pa pritje dhe pa sportele”, shpjegoi kandidati i VLEN-it për Çairin.
Mexhiti paralajmëroi se digjitalizimi do të përfshijë edhe nivelin lokal.
“Së shpejti, edhe Komuna e Çairit do t’i digjitalizojë të gjitha shërbimet e saj, duke sjellë standarde moderne për qytetarët”, deklaroi ai.
Në fund, ai bëri apel për përdorimin e këtij portali:
“Ftoj çdo qytetar, kompani dhe sidomos studentët, të regjistrohen dhe ta bëjnë këtë portal pjesë të përditshmërisë, sepse çdo shërbim administrativ do ta marrin më lehtë dhe shpejt!”