Kryediplomatja e BE-së bën thirrje për sanksione për të ushtruar presion mbi Izraelin

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje për sanksione ndaj Izraelit për të ushtruar presion mbi qeverinë që t’u japë fund sulmeve të tij në Gaza, duke paralajmëruar se situata humanitare po përkeqësohet, transmeton Anadolu.
“Ofensiva tokësore e Izraelit në Gaza do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën tashmë të dëshpëruar. Do të thotë më shumë vdekje, më shumë shkatërrim dhe më shumë zhvendosje”, shkroi Kallas në platformën amerikane të medias sociale X.
Ajo shtoi se Komisioni Evropian do të takohet të mërkurën për të diskutuar masat e mundshme, duke përfshirë pezullimin e koncesioneve tregtare dhe vendosjen e sanksioneve ndaj ministrave ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm.
“Pezullimi i koncesioneve tregtare dhe vendosja e sanksioneve ndaj ministrave ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm do të sinjalizonte qartë se BE-ja kërkon t’i jepet fund kësaj lufte”, shtoi ajo.
Javën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se do të propozojë një paketë masash kundër Izraelit, duke ndaluar mbështetjen dypalëshe, duke pezulluar pjesërisht Marrëveshjen e Asociimit dhe duke sanksionuar ministrat ekstremistë.
Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë gati 65.000 palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën dhe ekspertët kanë shpallur zi buke në enkavën palestineze.