30 ditë paraburgim për ish-kryetarin e FFM-së, Muamed Sejdini

Gjykata Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të prokurorisë kompetente, ka marrë vendim me të cilin ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, përcjell INA.
Masa e paraburgimit, siç informojnë nga Gjykata Themelore Penale, është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se personi ka kryer veprën penale “përvetësim gjatë shërbimit”. Njëkohësisht, gjykata vlerësoi se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes, si dhe mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët dhe dëshmitë gjatë procedurës.
Sejdini, i cili ishte në krye të FFM-së në dy mandate, nga viti 2019 deri në vitin 2025, u arrestua dje nga punonjësit e policisë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamentit të Policisë Kriminale, në koordinim me Prokurorinë Publike Shkup.
Nga Prokuroria informuan se i dyshuari, në periudhën nëntor – dhjetor 2024, si person zyrtar, kryetar i FFM-së, ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 660 mijë eurosh për një person juridik nga Shkupi, përkatësisht një shumë që tejkalon dobinë e konsiderueshme pasurore.
“Dyshimet tregojnë se vepra është kryer në atë mënyrë që FFM, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka marrë mjete financiare rreptësisht të dedikuara për revitalizimin e fushave sportive dhe infrastrukturës. Me mbështetjen financiare nga UEFA në kuadër të programit ‘HatTrick VI’, i dyshuari ka filluar procedurën për zbatimin e projektit – ndërtimi i tribunës në Stadiumin ‘Burimet e Biljanës’ në Ohër dhe ka dhënë propozim për fillimin e procedurës për zgjedhjen e kompanisë për realizimin e projektit. Pas miratimit nga Bordi Drejtues, i dyshuari ka dërguar kërkesë deri te tri firma për oferta për ndërtimin e tribunës së stadiumit. Është përzgjedhur oferta më e volitshme për ndërtim në vlerë të përgjithshme prej rreth 3.3 milionë euro pa TVSH. Edhe pse kontraktuesi nuk e ka kërkuar këtë, as në kërkesat për dorëzimin e ofertave nuk ishte cekur si mundësi, i dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Bordit Drejtues, ka futur një kusht shtesë në kontratën e lidhur me firmën e përzgjedhur, me të cilin ka paraparë pagesë avansi në vlerë prej 20% të vlerës totale të kontratës para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga kontraktuesi. Gjithashtu, ai nuk ka paraparë asnjë sigurim juridik për mjetet e paguara në emër të avansit,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Ai e ka nënshkruar një kontratë të tillë dhe më 17.12.2024, mjetet monetare në vlerë prej rreth 660 mijë eurosh që i ishin besuar në shërbim, me urdhër të tij drejtuar shërbimeve të pagesave, i ka transferuar si avans te personi juridik.



