Zv/kryeministri Sali takon përfaqësues të kompanive franceze, prezanton mundësitë për investime në Maqedoninë e Veriut

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të kompanive kryesore franceze, ku është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës.
Sali bëri të ditur se gjatë takimit janë prezantuar prioritetet e Agjendës Reformuese dhe mundësitë që ofron Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, me fokus në sektorët strategjikë si infrastruktura, energjia e rinovueshme, digjitalizimi, mbrojtja e mjedisit, arsimi dhe shëndetësia.
“Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave që krijojnë një mjedis të parashikueshëm për biznesin dhe mundësi të reja për investitorët”, theksoi Sali.
Ai vlerësoi interesimin në rritje të kompanive franceze për të investuar në vend, duke nënvizuar se ekziston potencial i madh për partneritete afatgjata.
“Mirëpresim interesimin në rritje të kompanive franceze dhe shohim potencial të madh për partneritete afatgjata që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe në procesin tonë të integrimit evropian”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë.
Në njoftimin e tij, Sali theksoi gjithashtu se integrimi evropian po shndërrohet gjithnjë e më shumë në përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë.
“Integrimi evropian nuk është më vetëm një aspiratë politike. Sot ai po shndërrohet në investime konkrete, mbështetje dhe mundësi reale për qytetarët tanë”, u shpreh ai.
Në fund, Sali falënderoi pjesëmarrësit për diskutimin konstruktiv dhe gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit, duke shprehur besimin se projektet e përbashkëta me kompanitë franceze do të kontribuojnë në rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
