Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani: Zgjidhet problemi i paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Penko”

Zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Driton Sulejmani, ka njoftuar se është zgjidhur çështja e paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Penko”, përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit.
Sipas Sulejmanit, zgjidhja e arritur është në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe garanton respektimin e së drejtës së nxënësve për arsimim, duke krijuar kushte të përshtatshme për vijimin e mësimit në gjuhën shqipe.
Ai theksoi se ky rast dëshmon se përmes dialogut, koordinimit dhe bashkëpunimit institucional mund të gjenden zgjidhje konkrete që janë në interes të fëmijëve.
“Arsimi dhe e ardhmja e nxënësve janë gjithmonë prioriteti ynë”, theksoi Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani.



