Zekerija Berisha: Solidaritet në veprim për qytetarët e Gostivarit

Këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, ka njoftuar se grupi i këshilltarëve të VLEN-it, në bashkëpunim me Kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup”, ka dërguar një cisternë me ujë të pijshëm për qytetarët e Gostivarit, të cilët po përballen me mungesë të ujit.

Berisha theksoi se në situata të tilla nuk ka vend për indiferencë, por vetëm për solidaritet.

“Kur mungon një nga nevojat më themelore të jetës, nuk ka vend për indiferencë. Ka vend vetëm për solidaritet. Në këto ditë sfiduese për qytetarët e Gostivarit, si grup i këshilltarëve të VLEN-it në Qytetin e Shkupit, në bashkëpunim me Kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe NP ‘Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup’, kemi dërguar një cisternë me ujë të pijshëm për të ndihmuar familjet që po përballen me mungesën e ujit”, deklaroi Berisha.

Ai nënvizoi se përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk duhet të kufizohet nga kufijtë administrativë, duke shtuar se ndihma reciproke është një vlerë që i bashkon qytetarët.

“Besojmë se përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk përfundon në kufijtë e një komune. Kur ka nevojë, jemi pranë njëri-tjetrit, sepse ndihma e ndërsjellë është vlera që na bashkon”, u shpreh ai.

Në fund, Berisha shprehu shpresën që situata me furnizimin me ujë në Gostivar të normalizohet sa më shpejt, duke theksuar se VLEN do të vazhdojë të ndihmojë kudo ku ka nevojë.

“Shpresojmë që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt dhe qytetarët e Gostivarit t’i rikthehen furnizimit të rregullt me ujë. Deri atëherë, do të vazhdojmë të kontribuojmë kudo ku ka nevojë. Sot pranë Gostivarit. Nesër pranë kujtdo që ka nevojë”, përfundoi Berisha.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button