Zbulohen kutitë e zeza nga avioni i rrëzuar pranë Washingtonit

Dy kutitë e zeza janë nxjerrë nga avioni që u rrëzua pas përplasjes me një helikopter ushtarak pranë kryeqytetit amerikan Washington, transmeton Anadolu.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) tha se hetuesit e tij gjetën regjistruesin e zërit të kabinës dhe atë të dhënave të fluturimit nga avioni “Bombardier CRJ700” i përfshirë në përplasjen e të mërkurës në Aeroportin Kombëtar “Ronald Reagan”.

“Regjistruesit janë në laboratorët e NTSB-së për vlerësim”, tha NTSB në një njoftim.

Avioni i kompanisë “American Airlines” kishte 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit në bord kur u përplas në ajër me helikopterin ushtarak “Black Hawk” që transportonte tre ushtarë. Të dy u rrëzuan në lumin Potomac.

Gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë gjatë ditës së djeshme, presidenti Donald Trump tha se askush nuk i mbijetoi përplasjes.

Duke cituar një burim të zbatimit të ligjit, “CBS News” raportoi se të paktën 40 trupa ishin gjetur deri në orën 5:30 të pasdites me kohën lindore.

Gjithashtu raportohet se 14 patinatorë ishin në mesin e viktimave të përplasjes. Shefi ekzekutiv i Klubit të Patinazhit të Bostonit, Doug Zeghibe, tha se gjashtë nga viktimat ishin nga klubi i Bostonit, përfshirë dy trajnerë, dy atletë adoleshentë dhe dy nëna atletësh.

Kishte edhe patinatorë nga Rusia.

“New York Times” raportoi se stafi në kullën e kontrollit të trafikut ajror në aeroport nuk ishte me kapacitet “normal për kohën e ditës dhe vëllimin e trafikut”.

Duke cituar një raport paraprak të sigurisë nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) mbi përplasjen, e përditshmja amerikane tha se një kontrollues i vetëm po trajtonte komunikimet si për helikopterët ashtu edhe për avionët, një detyrë që zakonisht ndahet midis dy personave.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button