VLEN: Zëvendësministrat e BDI-së heshtnin kur shqiptarët quheshin “terroristë”, sot BDI bën moral për shqiptarët

Partia VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të BDI-së lidhur me konkurset për punësim në polici dhe për regjistrimin e nxënësve në shkollën e mesme për policë, duke i cilësuar pretendimet e BDI-së si manipulim dhe përpjekje për të krijuar panik në opinionin publik.

“BDI ka aktivizuar edhe një herë fabrikën e saj të gënjeshtrave. Kur nuk ka fakte, shpik shifra. Kur nuk ka argumente, krijon panik. Kur kapet në manipulim, tenton ta mbulojë me zhurmë”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

Sipas VLEN-it, BDI po përpiqet të përziejë dy procedura krejtësisht të ndryshme – konkursin për punësim në polici dhe konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë.

“Është gënjeshtër e pastër përpjekja e BDI-së për të përzier konkursin për punësim në polici me konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë. Janë dy procedura krejtësisht të ndryshme dhe manipulimi i tyre është dëshmi e dëshpërimit politik të një partie që po përpiqet të krijojë perceptim të rremë te opinioni publik”, deklaron VLEN.

Në reagim, partia kritikon gjithashtu BDI-në për qëndrimet e saj ndaj çështjeve që lidhen me shqiptarët dhe për mënyrën se si, sipas VLEN-it, ajo po e paraqet veten sot si mbrojtëse të tyre.

“Ironia më e madhe është se sot BDI hiqet si mbrojtëse e shqiptarëve. Por ku ishin zëvendësministrat e BDI-së kur qëndronin krah ministrave që i quanin shqiptarët ‘terroristë’? Ku ishin kur një ministër deklaronte se nuk i jepte të drejtë një shqiptari të fliste vetëm pse e kishte dënuar?”, pyet VLEN.

Nga partia thonë se BDI në atë periudhë kishte heshtur, ndërsa sot, sipas tyre, po përpiqet të japë leksione politike.

“Atëherë heshtën. Sot bëjnë moral”, thuhet në komunikatë.

VLEN vlerëson se shqiptarët nuk kanë nevojë për moral nga një parti që, sipas saj, ka heshtur në momentet kur duhej të reagonte dhe tani përdor deklarata të forta për të mbuluar dështimet e saj.

“Shqiptarët nuk kanë nevojë për moral nga ata që heshtën kur duhej të flisnin dhe sot bërtasin vetëm për të mbuluar dështimet e tyre”, thuhet në reagim.

Partia VLEN gjithashtu pretendon se BDI-ja nuk ka më kredibilitet politik dhe moral për të folur për përfaqësimin e shqiptarëve.

“BDI nuk ka as kredibilitet moral e as politik të flasë për përfaqësimin e shqiptarëve. Pas 22 vitesh pushtet, nuk mund të fshihet pas propagandës dhe shpifjeve”, deklaron VLEN.

Në fund, partia thotë se nuk do të lejojë që, siç shprehet, “gënjeshtrat” të zëvendësojnë faktet.

“VLEN nuk do t’i lejojë gënjeshtrat e BDI-së të zëvendësojnë faktet. Koha kur shqiptarët mashtroheshin me skenarë të fabrikuar ka përfunduar”, përfundon komunikata e VLEN-it.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button