VLEN-Dibër reagon ndaj akuzave për MPB-në, Korumi: E vërteta nuk shtrembërohet për interesa politike

Anëtari i VLEN-it, dega Dibër, Shiqiri Korumi, ka reaguar ndaj zhvillimeve dhe deklaratave të fundit politike lidhur me çështjen e sistematizimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në Dibër.
Në një reagim publik, Korumi theksoi se kjo çështje nuk është e re dhe se është trajtuar më herët nga përfaqësuesit e VLEN-it dhe nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.
“Dibra dhe dibranët nuk e hanë sapunin për djathë siç mendojnë. E vërteta nuk mund të shtrembërohet për interesa politike. Çështja e sistematizimit në MPB për Dibrën është ngritur dhe trajtuar shumë më herët nga Bekim Sali dhe përfaqësuesit e VLEN-it në nivel lokal,” deklaroi Korumi.
Ai akuzoi kundërshtarët politikë se po përpiqen të përvetësojnë merita për një proces që, sipas tij, ka nisur më herët nga VLEN-i.
“Është e papranueshme që dikush sot të përpiqet ta paraqesë këtë si sukses ekskluziv partiak, duke anashkaluar kontributin real dhe iniciativën e parë që është ndërmarrë për këtë çështje,” shtoi ai.
Korumi kritikoi gjithashtu qëndrimet e fundit të opozitës, duke i cilësuar si kontradiktore dhe të paqëndrueshme.
“Në fillim thanë se Dibrës po i merren kompetencat në polici. Kur kjo nuk ndodhi dhe gjendja mbeti e njëjtë, madje me përmirësime shtesë, sot po të njëjtit flasin ndryshe,” u shpreh ai.
Në reagimin e tij, ai ironizoi edhe deklaratat e BDI, duke i krahasuar me tregime kontradiktore dhe duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë e tyre politike.
Në fund, Korumi bëri thirrje për debat publik, duke sfiduar përfaqësuesit politikë në Dibër.
“Nëse doni që dibranët ta dinë të vërtetën, ju sfidoj publikisht të caktojmë një debat televiziv që qytetarët të shohin se ku qëndron e vërteta,” deklaroi ai, duke shtuar se qytetarët meritojnë transparencë dhe sqarim të plotë mbi këtë çështje.



