VLEN: BDI për më shumë se dy dekada nuk e solli Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat

VLEN akuzoi sot BDI-në se për më shumë se dy dekada nuk arriti të sjellë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ndërsa vlerësoi se për herë të parë kjo çështje po merr zgjidhje të qëndrueshme ligjore.
Në konferencën për media, Shaban Allajbegu tha se reagimet e djeshme të BDI-së janë përpjekje për të fshehur, siç u shpreh ai, dështimin e tyre shumëvjeçar në këtë drejtim.
“Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po shndërrohet në zgjidhje ligjore. VLEN, pas 25 vitesh nga Marrëveshja e Ohrit, po e zgjidh këtë çështje me ligj. Jo me improvizime, jo me zgjidhje të përkohshme dhe aq më pak me mekanizma që sot ekzistojnë e nesër zhduken, por me ligj”, deklaroi Allajbegu.
Ai theksoi se me miratimin e ligjit, punësimi i shqiptarëve në sektorin publik nuk do të varet më nga vullneti politik apo interesat partiake.
“Nga ky moment, punësimi i shqiptarëve në sektorin publik bëhet obligim ligjor”, tha ai.
Sipas Allajbegut, VLEN ka kërkuar që ligji të miratohet me mekanizmin e Badenterit, duke e konsideruar atë një çështje që prek jo vetëm shqiptarët, por edhe bashkësitë e tjera etnike dhe karakterin multietnik të shtetit.
“VLEN kërkoi që ky ligj të miratohet me Badenter, sepse kjo nuk është çështje e një partie. Kjo është çështje që prek shqiptarët, bashkësitë tjera dhe karakterin multietnik të shtetit. Dhe kjo u pranua”, u shpreh ai.
Duke iu referuar BDI-së, Allajbegu tha se partia opozitare nuk ndërmori hapa konkretë për ta sjellë këtë ligj gjatë kohës sa ishte në pushtet.
“Kur ishin në pushtet, nuk lëvizën as gishtin për ta sjellë këtë ligj. Tani, kur ligji po sillet, pyesin pse po sillet. Për 25 vite ata nuk e bënë, ne po e bëjmë për 25 muaj”, deklaroi përfaqësuesi i VLEN-it.
Ai kërkoi që BDI të sqarojë qëndrimin e saj ndaj propozim-ligjit.
“BDI duhet të vendosë: a e mbështet përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të garantuar me ligj apo jo? Kaq e thjeshtë është zgjedhja që duhet ta bëjnë”, tha Allajbegu.
Në fund, ai vlerësoi se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është e drejtë kushtetuese dhe një nga parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, duke shtuar se VLEN po e shndërron atë në zgjidhje ligjore.
“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është dhuratë politike dhe as shërbim që dikush ua bën shqiptarëve. Ajo është e drejtë kushtetuese, parim i Marrëveshjes së Ohrit, por deri më sot askush nuk pati guximin ta shndërrojë në ligj. VLEN po e bën këtë”, përfundoi ai.



