VLEN: BDI dhe LSDM nxitojnë të sjellin ligjin e branitellave për të shpëtuar nga korrupsioni politik
Koha e lojërave politike ka përfunduar! Koalicioni VLEN nuk do të qëndrojë duarkryq derisa opozita dhe aleatët e saj të heshtur përpiqen të ndezin flakën e përçarjeve ndëretnike, për të shpëtuar korrupsionin e tyre politik, shkruajnë nga koalicioni VLEN.
“Mjaft më me manipulime dhe provokime! Sponsorizuesi kryesor i ligjit të mbrojtësve është BDI, ndërsa moralisti i rremë Blerim Bexheti, i cili së bashku me Danella Arsovska dhe LEVICËN sollën Andon Lazov Janev Qoseto në Shkup, duhet ta pyesin Talat Xhaferin, i cili me rregulloren e re mundësoi që të provokohen situata të tilla. PGjithashtu, le ta pyesë edhe Artan Grubin, si u bë që me 30 mijë euro i dëmshpërbleu katër branitella! Ligji hyri në procedurë sepse sipas rregullores së re, nuk ka mundësi që të mos vihet në rend të ditës një ligj i propozuar nga një deputet, Qeveria ose kushdo që ka të drejtë të propozojë ligj.
LSDM opozitare tregoi edhe një herë se nuk e ka për qëllim të ndërtojë një të ardhme të përbashkët për qytetarët, por të hapë plagët e së kaluarës për përfitime të ulëta politike, ndërsa BDI vazhdon të luajë lojën e saj të vjetër-të re, e cila është e orientuar për të tërhequr vëmendjen nga krimet e saj, përmes akuzave dhe krijimin e tensioneve të rreme.
Si shenjë proteste ndaj kësaj strategjie të ulët dhe të papërgjegjshme, deputetët tanë nga Koalicioni VLEN e braktisën seancën. Mesazhi ynë është i qartë: nuk do të lejojmë që Kuvendi të kthehet në një arenë manipulimesh dhe përçarjesh. Ligjet që kanë për qëllim të ndajnë popullin shqiptar dhe të mbajnë në jetë një sistem të korruptuar, nuk kanë vend në agjendën tonë! Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtën e popullit shqiptar dhe për të kërkuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha plagët e së kaluarës, duke përfshirë edhe statusin e ish-luftëtarëve të UÇK! Nuk do të lejojmë që çështje të tilla të përdoren për të mbuluar dështimet dhe krimet që janë bërë ndaj popullit tonë”, shkruajnë nga VLEN.