VIDEO/ SpaceX dërgon në hapësirë misionin e parë komercial
Kompania hapësinore SpaceX ka dërguar një ekuipazh prej katër civilësh drejt hapësirës. Ata do të jenë civilët e parë që do të tentojnë të dalin nga një anije kozmike në hapësirë dhe do të eksplorojnë rripin e rrezatimit Van Allen.
Misioni i quajtur “Polaris Dawn” nisi ditën e martë, ndërsa kompania e Elon Musk e transmetoi atë në rrjetin social X, gjithashtu në pronësi të Musk.
Teksa kapsula hynte në orbitën e tokës, drejtuesi i misionit, Frank Messina, iu drejtua ekuipazhit me fjalët inkurajuese: “Ndërsa shihni Yllin Polar, mos harroni se guximi juaj ndriçon rrugën për eksploruesit e ardhshëm. Ne kemi besim në aftësitë tuaja, guximin dhe shpirtin e skuadrës për ta përfunduar misionin që iu pret.”
Nisja e këtij misioni drejt hapësirës vjen pas një sërë vonesash të shkaktuara nga kushtet klimatike.