(VIDEO) Lidhja e Rinisë Shqiptare në Turqi mbështet protestat në Shqipëri: Për atdheun krah për krah

Lidhja e Rinisë Shqiptare në Turqi ka organizuar një tubim në Sheshin Şişhane në Stamboll, në shenjë mbështetjeje për protestat popullore që po zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se angazhimi i tyre është në mbrojtje të tokës, historisë dhe të ardhmes së vendit.
Përmes një njoftimi, organizata bëri të ditur se shqiptarët e mbledhur në Turqi shprehën solidaritet me qytetarët në atdhe dhe ritheksuan qëndrimin e tyre në favor të transparencës, drejtësisë dhe vullnetit të popullit.
“Si shqiptarë në Turqi, theksuam edhe një herë me krenari se jemi në anën e transparencës, drejtësisë dhe vullnetit të popullit”, thuhet në reagim.
Sipas Lidhjes së Rinisë Shqiptare, tubimi ishte një shprehje solidariteti që kapërcen kufijtë shtetërorë, me qëllim bashkimin e zërit të diasporës me protestuesit në Shqipëri.
“Si shqiptarë që jetojmë në Turqi, u mblodhëm për t’i bashkuar zërin tonë zërit që po ngrihet në atdhe. Thirrjet që u dëgjuan në shesh pasqyruan vendosmërinë e rinisë shqiptare jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen”, theksohet në njoftim.
Në fund, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që i mbështetën nga larg, duke vlerësuar se bashkimi i shqiptarëve është dëshmi se me unitet mund të arrihen qëllimet e përbashkëta.
“Falënderojmë nga zemra të gjithë bashkëqytetarët tanë që morën pjesë, të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre dhe ata që ishin me ne me shpirt, edhe pse nga larg. Ky bashkim është dëshmia më e bukur se së bashku mund të…”, thuhet në reagimin e Lidhjes së Rinisë Shqiptare në Turqi.
