(VIDEO) Autobus i NTP-së përfshihet nga flakët në Sopishtë

Një autobus i Ndërmarrjes së Transportit Publik – Shkup u përfshi nga zjarri sot në komunën e Sopishtes.
Nga videoja dhe fotografitë e publikuara nga agjencia shtetërore e lajmeve MIA, shihet se pjesa e pasme e autobusit ishte përfshirë nga flakët.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit, Zvonko Tomevski, për “360 gradë” deklaroi se zjarri ishte raportuar tek ata në orën 12:33 dhe se pas ndërhyrjes së tyre ishte shuar plotësisht, pa persona të lënduar.
Sipas Tomevskit, bëhet fjalë për një autobus të NPT-së që operon në linjën numër 58.
“Zjarri është shuar dhe po punohet për pastrimin e vendit,” tha ai.
Ai shtoi se në shuarjen e zjarrit morën pjesë tetë zjarrfikës me dy automjete zjarrfikëse dhe nuk u lejua që flakët të përfshinin objektet dhe pemët përreth vendit ku ndodhej autobusi.
“Zjarri shpërtheu në pjesën e motorit, nuk ka të lënduar, pasagjerët janë evakuuar në kohë dhe dëmet janë vetëm materiale,” tha komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme për “360 gradë” informuan se zjarri shpërtheu ndërsa autobusi ishte në lëvizje pranë rrethrrotullimit në fshatin Sopisht.
Sipas MPB-së, një person që kishte thithur tym mori ndihmë mjekësore në vendngjarje, ndërsa nuk pati persona të tjerë të lënduar.
“Sot (25.01.2025) rreth orës 12:30, në SPB Shkup është raportuar se pranë rrethrrotullimit në fshatin Sopisht, Shkup, ka shpërthyer zjarr në një autobus të NPT-së në lëvizje. Si pasojë, një person ka thithur tym dhe ka marrë ndihmë në vend nga një ekip i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa nuk ka persona të tjerë të lënduar. Në vendngjarje ka dalë një ekip nga Brigada për Mbrojtje nga Zjarri e Shkupit,” thuhet në informacionin e parë nga MPB-ja.
Për shkak të ngjarjes, trafiku në rrugën Pripor – Sopisht është ndërprerë, me shumë gjasë për shkak të hetimeve që do të kryhen nga organet përkatëse për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.