Nga 1 janari 2027 rriten shtesat për fëmijë, Kurti tregon sa do të përfitojnë familjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shtesat për fëmijë do të rriten për 25 për qind nga 1 janari i vitit 2027.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka njoftuar se rritja do të bëhet në katër faza, me nga 25 për qind çdo vit, me synimin që deri në janar të vitit 2030 shtesat të dyfishohen.
Sipas tij, faza e parë e rritjes do të nisë më 1 janar 2027, ndërsa fazat e tjera do të zbatohen në fillim të viteve 2028, 2029 dhe 2030.
Kurti ka dhënë edhe shembuj konkretë të përfitimit për familjet. Një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, nga janari do të përfitojë 75 euro.
Ndërsa një familje me katër fëmijë, që aktualisht merr 180 euro, pas rritjes do të marrë 225 euro në muaj.
Kryeministri ka theksuar se rritja graduale është paraparë dhe buxhetuar, në përputhje me zotimin për dyfishimin e shtesave për fëmijë gjatë mandatit të qeverisë.



