(VIDEO) Aksident fatal në Kroaci: Kamioni përfshihet nga zjarri pas goditjes së linjës elektrike, humb jetën shoferi

Një kamion u përfshi nga zjarri në autostradë në Kroaci, pranë Slavonski Brod, ndërsa sipas mediave lokale shoferi ishte shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Dje në orën 14:18, policia mori një raport se një kamion ishte përfshirë nga zjarri në autostradën A3, pranë Sredanac në drejtim të Breganës, dhe se në automjet ndodhej një person. Aksidenti ndodhi kur kamioni kaloi barrierën ndarëse dhe goditi një linjë elektrike.
Sipas informacioneve jozyrtare të portalit lokal SB Online, shoferi kishte mbetur i bllokuar në automjet dhe ka ndërruar jetë. Jozyrtarisht bëhet fjalë për një shtetas më të moshuar nga Maqedonia e Veriut. Në kamion nuk kishte persona të tjerë përveç shoferit.
Në vendin e ngjarjes u dërguan të gjitha shërbimet e emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, të cilët patën vështirësi të arrinin në vend për shkak të trafikut të krijuar. Faqja në Facebook “Zjarrfikësit – 193” publikoi një video të lëvizjes së tyre në autostradë, ku shihet se drejtuesit e tjerë nuk kishin krijuar korridor emergjence.



