Vazhdon gjyqi për rastin “Lotaria Shtetërore”, Grubi kërkon kthimin e pasaportës me garanci mbi 300 mijë euro
Vazhdon gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin të akuzuar janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori Perparim Bajrami dhe gjashtë persona të tjerë.
Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përvetësim të rreth 600 milionë denarëve nga buxheti i Lotarisë Shtetërore, gjatë prokurimit të terminaleve për videolotari.
Në seancën e kaluar dëshmoi drejtori i Lotarisë Shtetërore, Vllado Petkovski, i cili deklaroi se për prokurimin kishte pasur studime fizibiliteti, mendime dhe plan financiar.
Ai mohoi se Bajrami i kishte thënë se për çdo vendim duhet të konsultohej me Artan Grubin. Për shkak të dallimeve mes dëshmisë së tij gjatë hetimit dhe deklaratës së dhënë në gjykatë, Prokuroria kërkoi marrjen në pyetje shtesë të dëshmitarit, kundërshtim ky që u bë nga mbrojtja.
Ndërkohë, masa e arrestit shtëpiak ndaj Artan Grubit skadon më 13 tetor. Ai ka kërkuar kthimin e pasaportës, duke ofruar garanci në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh.
Nga Gjykata Penale informojnë se aktakuza është dorëzuar më 13 gusht 2026, ndërsa sipas Ligjit për Procedurën Penale, masa e paraburgimit mund të zgjasë më së shumti 60 ditë nga dorëzimi i aktakuzës.
Për kërkesën për kthimin e pasaportës dhe garancinë është formuar një lëndë, e cila i është dërguar Prokurorisë. Pas marrjes së mendimit të saj, gjykata do të marrë vendim.



