“Ushtria izraelite tërheq disa brigada nga Libani jugor”
Ushtria izraelite tërhoqi disa brigada nga Libani jugor mes pritjeve për një armëpushim të mundshëm së shpejti, sipas mediave izraelite, transmeton Anadolu.
Brigadat u tërhoqën për trajnim rifreskues bazuar në një vlerësim të zyrtarëve që marrin pjesë në negociatat e armëpushimit se një marrëveshje mund të arrihet brenda një jave e gjysmë deri në dy javë, raportoi e përditshmja izraelite Yedioth Ahronoth.
Gazeta nuk specifikoi numrin e brigadave që janë tërhequr nga Libani jugor.
“Operacionet tokësore pritet të vazhdojnë edhe për disa javë të tjera, ndërsa ushtria izraelite pret një vendim nga lidershipi politik”, thuhet në deklaratë.
E përditshmja raportoi përparim në lidhje me një dokument shtesë të marrëveshjes së armëpushimit.
“Ky dokument do t’i garantonte Izraelit lirinë e veprimit ushtarak në Libanin jugor, nëse mekanizmi i armëpushimit dështon”, pohoi ai.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Hezbollahu mbi këtë raportim.
Të hënën, kryeministri libanez Najib Mikati tha se Izraeli ka refuzuar të gjitha zgjidhjet e propozuara për një armëpushim, ndërsa po i vazhdon sulmet e tij në gjithë Libanin.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha të premten se ushtria po i afrohej fundit të fazës intensive të operacionit të saj tokësor në Libanin jugor dhe po përgatitej për ridislokim në mes të bisedimeve për armëpushim.
Izraeli e ka përshkallëzuar fushatën e tij ajrore në Liban që nga fundi i shtatorit kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, në një përshkallëzim të luftës ndërkufitare njëvjeçare midis Izraelit dhe grupit libanez që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës.
Më shumë se 3.000 njerëz janë vrarë dhe rreth 13.500 janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Izraeli e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor të këtij viti.