Universiteti Brown mund të bëhet i pesti që humbet financimin federal për shkak të akuzave për “antisemitizëm”

Administrata Trump thuhet se po synon një ndërprerje të financimeve dhe granteve federale në vlerë prej 510 milionë dollarësh për Universitetin Brown, për shkak të akuzave për “antisemitizëm” në kampus dhe një rishikim të politikave të tij për Diversitet, Barazi dhe Përfshirje (DEI), ndërsa po zgjeron në mënyrë agresive fushatën e saj për të mbajtur universitetet amerikane përgjegjëse, sipas raportimeve.
Daily Caller ishte media e parë që raportoi për pezullimin të enjten, ndërsa CNN njoftoi se kishte marrë të njëjtën informacion nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë që zyrtarët e Universitetit deklaruan se nuk ishin njoftuar zyrtarisht, shkolla ishte mes dhjetëra institucioneve të paralajmëruara në mars se masa ndëshkuese mund të ndërmerren, ndërsa administrata synon të godasë institucionet akademike.
Universiteti Brown në Rhode Island ka një fond investimesh që vlerësohej në 7.2 miliardë dollarë verën e kaluar.
Prorektori i Brown, Francis J. Doyle III, dërgoi një mesazh për aktorët në kampus të premten, duke thënë se ishin në dijeni të “thashethemeve shqetësuese” që po qarkullonin lidhur me ndërprerjen e financimeve federale për grantet kërkimore.
“Nuk do t’i përsërisim këto thashetheme të ndryshme, përfshirë raportet e pabazuara të mediave online, por është e rëndësishme të ndajmë që, në këtë moment, nuk kemi asnjë informacion që i konfirmon këto thashetheme. Në rolet tuaja si drejtues të departamenteve dhe programeve, ju lutemi ndani këtë informacion me fakultetin që ka shqetësime. Po monitorojmë nga afër çdo njoftim në lidhje me grantet, por nuk kemi asgjë më shumë për të ndarë për momentin,” tha Doyle, sipas një deklarate të ndarë me Middle East Eye.
Ashtu si dhjetëra universitete të tjera, studentët në këtë shkollë prestigjioze të Ivy League protestuan kundër luftës së Izraelit në Gaza, duke ngritur një kamp në sheshin kryesor të kampusit të Brown. Por, ndryshe nga shumë universitete të tjera, administrata e Brown zgjodhi të negociojë me studentët, në vend që t’i largojë me forcë.
Brown është bërë kështu universiteti i pestë i njohur në Ivy League që përballet me mundësinë e humbjes së financimit federal. Në mars të këtij viti, Universiteti Columbia u bë universiteti i parë që humbi një pjesë të financimit, kur administrata Trump ndërpreu 400 milionë dollarë fonde federale.
Në një deklaratë për shtyp në atë kohë, agjencitë që po rishikonin universitetin thanë se ndërprerja e fondeve ndodhi për shkak të “mosveprimit të vazhdueshëm të shkollës përballë ngacmimeve të vazhdueshme ndaj studentëve hebrenj”.
“Që nga 7 tetori [2023], studentët hebrenj janë përballur me dhunë të vazhdueshme, frikësim dhe ngacmime antisemite në kampuset e tyre – vetëm për t’u injoruar nga ata që duhet t’i mbrojnë,” tha Sekretarja e Arsimit Linda McMahon në deklaratë.
Deklarata paralajmëroi se këto anulime përfaqësojnë raundin e parë të masave dhe se priten anulime të tjera në të ardhmen. Universiteti Columbia aktualisht ka mbi 5 miliardë dollarë në angazhime për grante federale. Shuma e shpallur në mars është pothuajse tetë herë më e madhe se ajo që task forca federale për antisemitizëm kishte thënë më herët se po konsideronte të ndërpriste.
Efekti domino
Më 1 prill, administrata Trump pezulloi disa dhjetëra grante kërkimore me vlerë totale 210 milionë dollarë për Universitetin Princeton, si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm për antisemitizëm në kampus, sipas Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Energjisë.
Presidenti i Princeton, Christopher Eisgruber, tha në një mesazh për komunitetin universitar se “arsyetimi i plotë për këtë veprim ende nuk është i qartë”.
Ndërkohë, më 31 mars, qeveria i njoftoi Universitetit Harvard se do të rishikonte gati 9 miliardë dollarë në grante shumëvjeçare si pjesë e një hetimi për “antisemitizëm”. Rishikimi përfshin mbi 255.6 milionë dollarë në kontrata aktuale dhe 8.7 miliardë në grante të shpërndara në disa vite.
Harvardit gjithashtu i janë vënë disa kushte për të marrë fondet federale – përfshirë ndalimin e maskave dhe heqjen e programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.
Rishikimi po kryhet nga Departamenti i Arsimit, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore dhe Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme të SHBA.
McMahon tha në një deklaratë se, ndonëse Harvard ka qenë “një simbol i Ëndrrës Amerikane për breza me radhë”, ai ka dështuar “t’i mbrojë studentët nga diskriminimi antisemit” dhe ka promovuar “ideologji përçarëse mbi kërkimin e lirë”.
Administrata Trump, gjatë pezullimit të 400 milionë dollarëve në fonde federale për Columbia University, kërkoi në këmbim që universiteti të ndryshonte politikat disiplinore dhe të vendoste programet për studime mbi Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Azinë Jugore nën kontroll administrativ.
Columbia pranoi shumë nga kërkesat e administratës Trump, por kjo shkaktoi reagime të mëdha kombëtare dhe largimin e menjëhershëm të presidentes së përkohshme të universitetit, Linda Armstrong, javën e kaluar.
Universiteti i Pensilvanisë, alma mater i presidentit Donald Trump, u godit me 175 milionë dollarë në ndërprerje fondesh për politikat që lejojnë gratë transgjinore të konkurrojnë në sportet e grave.
Në një njoftim më 10 mars, Departamenti i Arsimit publikoi një listë me 60 universitete që janë “aktualisht nën hetim për shkelje të Titullit VI që lidhen me ngacmime dhe diskriminim antisemit”.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe ekspertët akademikë e kanë dënuar këtë valë ndëshkimesh si një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë akademike.