Tusk thotë se nevojiten mbi 1 miliard euro për rikuperim nga përmbytjet
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, njoftoi se do të nevojiten më shumë se një miliard euro fonde për rikuperim pas përmbytjeve të mëdha në vend.
Reshjet e dendura të shiut kanë rezultuar në përmbytje të rënda në një pjesë të madhe të Evropës Qendrore ditët e fundit, duke përfshirë Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Rumaninë dhe Austrinë.
Shtatë persona kanë vdekur në Rumani, pesë në Poloni, tre në Çeki dhe një në Austri. Kryeministri polak tha në një konferencë për medie se ai po pret një vizitë të afërt nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në mënyrë që të bëjë marrëveshje për fondet e ndihmës.
Tusk mbajti një takim urgjent dhe më vonë shpalli fatkeqësi në të gjithë rajonin e prekur të Polonisë jugore, një masë e Qeverisë për ta lehtësuar evakuimin dhe shpëtimin.
Ndërkohë, kryeqyteti i Sllovakisë, Bratislava dhe kryeqyteti hungarez, Budapesti janë duke u përgatitur për përmbytje të mundshme pasi niveli i lumit Danub është ngritur.
Italia tashmë është duke u përballur me reshje të dendura shiu derisa stuhi të fuqishme priten në ditët në vijim.