‘Turp për ju të gjithëve’ – Përvjetori i 50-të i Microsoft-it ndërpritet nga zemërimi i punonjësve

Punonjës të Microsoft-it kanë ndërprerë festimet për 50-vjetorin e kompanisë në selinë e saj në Uashington, ku një punonjëse i bërtiti ish-drejtorëve ekzekutivë Steve Ballmer dhe Bill Gates, si dhe drejtorit aktual të Microsoft AI, Mustafa Suleyman, ndërsa ndodheshin të gjithë në skenë.
Vaniya Agrawal, inxhiniere softuerike në sektorin e inteligjencës artificiale të kompanisë, ndërhyri gjatë bisedës së CEO-ve në skenë në Redmond, Uashington, të premten.
Në një postim të shpërndarë nga The Verge — “Turp për ju të gjithëve. Jeni hipokritë,” tha ajo para se një grua tjetër ta shoqëronte menjëherë jashtë skenës.
“Pesëdhjetë mijë palestinezë në Gaza janë vrarë me teknologjinë e Microsoft-it. Si guxoni. Turp për ju që festoni mbi gjakun e tyre. Ndërprisni lidhjet me Izraelin.”
Agrawal përmendi gjithashtu grupin “No Azure for Apartheid”, i krijuar nga punonjës të Microsoft për të kërkuar që kompania të ndërpresë “bashkëpunimin direkt dhe indirekt me aparteidin dhe gjenocidin izraelit.”
Të paktën një person në sallë e vërshëlleu, dhe pamjet nga brenda eventit treguan Gates-in duke qeshur pas ndërhyrjes, duke thënë “në rregull” para se të vazhdonte diskutimi.
Në një deklaratë për USA TODAY, një zëdhënës i Microsoft, që nuk pranoi të identifikohej, tha se çdo protestë nuk duhet të “pengojë aktivitetet e biznesit”.
“Ne ofrojmë shumë mënyra që zëri i gjithsecilit të dëgjohet. Por kërkojmë që kjo të bëhet pa prishur punën,” tha ai.
“Nëse ndodh e kundërta, kërkojmë që pjesëmarrësit të zhvendosen. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që praktikat tona të përputhen me standardet më të larta.”
Zëdhënësi nuk komentoi akuzat specifike të Agrawal.
Më herët gjatë ditës, një tjetër punonjëse, Ibtihal Aboussad, u ngrit ndërsa Suleyman po fliste dhe e quajti atë një “përfitues lufte”.
Aboussad gjithashtu dërgoi një email drejtuesve të Microsoft duke shpjeguar arsyet e protestës së saj, sipas CNBC dhe The Verge.
“Unë reagova sot sepse, pasi mësova që organizata ime po fuqizonte gjenocidin ndaj popullit tim në Palestinë, nuk pashë asnjë zgjedhje tjetër morale,” tha ajo.
“Për më shumë se një vit e gjysmë, komuniteti ynë arab, palestinez dhe mysliman në Microsoft është heshtur, frikësuar, ngacmuar dhe ekspozuar publikisht, pa asnjë pasojë nga kompania.”
Suleyman iu përgjigj protestës duke thënë: “Faleminderit, dëgjoj protestën tënde.” Ajo u përgjigj: “Ju nuk na dëgjoni.”
Përveç protestave brenda eventit, një protestë më e madhe e organizuar nga grupi “No Azure for Apartheid” po mbahej jashtë ndërtesës.
Letra e protestës: “Kam vendosur të largohem nga Microsoft”
Agrawal gjithashtu dërgoi një email masiv për punonjësit e kompanisë duke thënë se dita e saj e fundit në Microsoft është 11 prilli, dhe shpjegoi arsyen e protestës së saj, sipas The Verge.
“Nuk mundem me ndërgjegje të qetë të jem pjesë e një kompanie që merr pjesë në këtë padrejtësi të dhunshme,” shkroi ajo.
“Po e kam gjithnjë e më të vështirë të vazhdoj t’i jap kohën, energjinë dhe kujdesin tim një kompanie që ndodhet në anën e gabuar të historisë … Udhëheqja e Microsoft duhet të shkëpusë lidhjet me Izraelin dhe të ndalë shitjen e teknologjisë vdekjeprurëse që mbështet aparteidin dhe gjenocidin.”
Cili është përfshirja e Microsoft-it me Izraelin?
Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, përdorimi i Microsoft Azure dhe OpenAI nga ushtria izraelite është rritur ndjeshëm, sipas një hetimi të Associated Press të publikuar në shkurt.
Tel Avivi po përdor teknologjinë e këtyre kompanive për të analizuar inteligjencën, përgjuar komunikimet dhe mbikëqyrur, identifikuar fjalime të dyshimta dhe për të “mësuar lëvizjet e armiqve të saj”, raportoi AP.
Një hetim nga The Guardian në janar arriti në përfundime të ngjashme mbi atë që e përshkruan si lidhje të thella të Microsoft-it me Izraelin.
Microsoft nuk pranoi të komentonte për asnjë nga hetimet, duke përfshirë edhe refuzimin për t’iu përgjigjur një “liste të detajuar të pyetjeve me shkrim mbi shërbimet cloud dhe AI që ofron për ushtrinë izraelite.”
🚨A Microsoft employee disrupted the company’s 50th anniversary event to protest its use of AI.
“Shame on you,” said Microsoft employee Ibtihal Aboussad, speaking directly to Microsoft AI CEO Mustafa Suleyman. “You are a war profiteer. Stop using AI for genocide. Stop using AI… pic.twitter.com/PdIqa6TSHo— Ramy Abdu| رامي عبده (@RamAbdu) April 4, 2025