Trumpi fajëson Ukrainën: Mund ta kishte zgjidhur çështjen vite më parë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka fajësuar Ukrainën, pasi presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, është shprehur i habitur që vendi i tij nuk është ftuar në bisedimet e paqes në Arabinë Saudite që kanë nisur të martën mes SHBA-së dhe Rusisë.
Duke thënë se ishte “i zhgënjyer” nga reagimi i Ukrainës, ai në një formë fajësoi shtetin për fillimin e luftës, pasi deklaroi se “mund të kishte bërë një marrëveshje”.
“Jam shumë i zhgënjyer. Kam dëgjuar se, e dini, ata janë të mërzitur që nuk kanë një vend. Epo, ata kanë pasur një vend për tre vjet dhe një kohë të gjatë përpara kësaj. Kjo mund të ishte zgjidhur shumë lehtë… vite më parë, pa humbur shumë tokë, pa humbje jetësh dhe pa humbje të qyteteve”, ka deklaruar Trumpi.
Pushtimi rus në shkallë të plotë ndezi luftën në Ukrainë pothuajse tre vjet më parë.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio në Riad për bisedimet e para të nivelit të lartë, ballë për ballë midis dy vendeve që nga pushtimi.
Ata ranë dakord të caktojnë ekipe për të filluar negociatat për përfundimin e luftës.
Lavrov ka thënë se vendi i tij nuk do të pranonte forca paqeruajtëse nga vendet e NATO-s në Ukrainë sipas ndonjë marrëveshjeje paqeje, një propozim i ngritur në një takim të anëtarëve evropianë të NATO-s në Paris të hënën.