Trump: Marrëveshja bërthamore me Arabinë Saudite lidhet me njohjen e Izraelit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se marrëveshja historike bërthamore civile mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite varet nga vendimi i Riadit për t’iu bashkuar Marrëveshjeve të Abrahamit, që nënkupton njohjen e shtetit të Izraelit.

“Programi bërthamor civil, i cili nuk përfshin pasurimin e materialeve dhe lidhet vetëm me përdorimin jo-ushtarak, do të miratohet, por është plotësisht i varur nga bashkimi i Arabisë Saudite me Marrëveshjet shumë të respektuara dhe të suksesshme të Abrahamit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Deklarata e presidentit amerikan vjen pas shqetësimeve të ngritura nga ekspertë të sigurisë, të cilët kanë paralajmëruar se një marrëveshje e tillë mund të krijojë rreziqe për përhapjen e teknologjisë bërthamore në një rajon të karakterizuar nga tensione të vazhdueshme.

Çështja bërthamore ka qenë një nga pikat kryesore të përplasjes së gjatë mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.

Marrëveshjet e Abrahamit u ndërmjetësuan nga Trump në vitin 2020 dhe sollën normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe Bahreinit. Më pas, edhe Sudani dhe Maroku vendosën të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button