Toshkovski: Po përgatitet një zgjidhje e re ligjore për kamerat e trafikut
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/01/toshkovski-2-780x470.jpg)
Projekti për kamerat është një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
“Premtova se gjatë vitit 2025 do të kemi të implementuar projektin. Përveç instalimit të kamerave, lidhjes së tyre me kabllot e nevojshme dhe sigurimit të të gjitha lejeve të nevojshme, do të duhet të ndryshojmë edhe legjislacionin, të përgatisim gjykatat dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike në pjesën e zbatimit të procedurave. Do të jetë e nevojshme një qasje më e gjerë institucionale, dhe në këtë po punojmë aktualisht. Po përgatitet një zgjidhje e re ligjore e propozuar”, tha Toshkovski.
Ai theksoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm nga disa këndvështrime, veçanërisht për uljen e numrit të viktimave në aksidentet rrugore, ndërsa përvoja në vende të tjera ka treguar se implementimi i këtij sistemi për një qytet dhe shtet të sigurt është i justifikuar. Gjithashtu, shtoi se ky është një nga projektet më kyçe të Ministrisë që duhet të implementohen në të ardhmen.
“Në kuadër të qeverisë teknike, nëse do të kishte hapësirë dhe kohë për t’iu kushtuar maksimalisht mikromenaxhimit, ndoshta do të kishim përfunduar më herët nga aspekti i implementimit. Por, fatkeqësisht, gjatë qeverisë teknike ishim të angazhuar me çështje të tjera. Kjo rezultoi e suksesshme nga pikëpamja e organizimit të zgjedhjeve në pjesën që ishte nën kompetencën e MPB-së. Gjithashtu, në atë periudhë na u la një problem tjetër i madh me pasaportat, të cilin u detyruam ta zgjidhnim”, theksoi ai.
Ministri Toshkovski sot ishte për vizitë në Zhelinë, me rastin e hapjes së një zyre të re të shërbimeve administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.