Toshkovski në Forumin e Shefave të Policive Kufitare: Siguria evropiane ndërtohet së bashku me Ballkanin Perëndimor

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, tha se siguria evropiane ndërtohet përmes bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, duke theksuar nevojën për mekanizma konkretë të bashkëpunimit për përballimin e sfidave të migracionit dhe sigurisë, transmeton Anadolu.
Duke folur në Forumin e Shefave të Policive Kufitare të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet më 26 dhe 27 gusht në Shkup në kuadër të Procesit të Berlinit, Toshkovski tha se migracioni mbetet një nga çështjet kryesore të kohës moderne dhe se Ballkani Perëndimor është njëkohësisht rajon tranziti dhe partner i rëndësishëm në përgjigjen e përbashkët evropiane, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme.
“Presionet nga flukset e parregullta të migracionit, shfrytëzimi i kategorive të rrezikuara nga rrjetet kriminale dhe ngarkesa mbi institucionet nuk janë sfida të kufizuara në një kufi, në një shtet apo në një rajon. Ato janë evropiane dhe globale”, tha Toshkovski, duke theksuar se nevojiten mekanizma konkretë bashkëpunimi.
Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Procesit të Berlinit, duke thënë se ai paraqet një rrugë përmes së cilës vendet e Ballkanit Perëndimor demonstrojnë gatishmërinë dhe harmonizimin me standardet evropiane.
“Siguria evropiane nuk përfundon në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Ajo ndërtohet përmes partnerëve të qëndrueshëm dhe të sigurt, përmes politikave të përbashkëta dhe përmes aftësisë së të gjithëve ne për të kontribuar në përballimin e sfidave që prekin Evropën në tërësi”, theksoi Toshkovski.
Ministri tha se forumi duhet të shfrytëzohet për përcaktimin e prioriteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kufitare dhe migracionit.



