Të rinjtë nga Kosova paguajnë deri në 5000 franga më shumë për sigurimin e veturës sesa zviceranët

Shtetësia dhe mosha mbeten dy faktorët më përcaktues dhe më diskriminues kur bëhet fjalë për llogaritjen e sigurimit të veturës në Zvicër.
Siç raporton gazeta zvicerane “20 Minuten”, një analizë e fundit krahasimtare e kompanive të mëdha të sigurimeve, e zhvilluar nga portali “bonus.ch”, ka zbuluar dallime drastike në çmime. Tarifat rëndojnë jashtëzakonisht shumë të rinjtë me origjinë nga Kosova.
Sipas të dhënave të publikuara nga “20 Minuten”, një i ri 18-vjeçar me leje qëndrimi të përhershëm në Zvicër (viza C) dhe me prejardhje kosovare paguan mesatarisht 63 për qind më shumë për sigurimin e veturës sesa një bashkëmoshatar i tij zviceran.
Kur bëhet fjalë për sigurimin e plotë, kjo diferencë arrin në një shifër prej 174 për qind më shumë.
Kjo diferencë e çmimeve, e cila në opinion njihet edhe si “taksa e Ballkanit”, ndikon që një shofer i ri kosovar të paguajë 5054 franga më shumë se një zviceran i së njëjtës moshë për të njëjtën mbulesë sigurimi.
Dallimi bëhet akoma më ekstrem nëse krahasohet një 18-vjeçar nga Kosova me një shofer zviceran 30-vjeçar. I riu kosovar paguan mesatarisht pothuajse katër herë më shumë se 30-vjeçari zviceran.
Tek sigurimi i thjeshtë, ky raport shkon në gati shtatë herë më shumë, ku kosovari paguan 3147 franga kundrejt vetëm 466 frangave që paguan zvicerani.
Ky sistem tarifimi mbi bazën e kombësisë ka qenë shpesh temë debatesh në politikën zvicerane. Politikanët e majtë konsiderojnë këto dallime si diskriminuese, mirëpo deri më tani kjo praktikë nuk është i ndaluar me ligj në Zvicër, pasi kompanitë e sigurimeve i përcaktojnë çmimet bazuar në statistikat e tyre të brendshme të rrezikut dhe dëmeve. /Telegrafi/



