Taulant Xhaka: I sugjerova Granitit të mos luajë ndaj Serbisë

“Kam menduar se nuk mund të jetë e vërtetë”, thotë Taulant Xhaka për “Blick” për momentin kur Serbia e Zvicra ranë në të njëjtin grup në Ligën e Kombeve.

Vëllai i tij, Granit Xhaka, është kapiten i Zvicrës dhe ka udhëhequr Përfaqësuesen në dy fitoret madhështore ndaj Serbisë në dy Botërorët e fundit. Graniti për herë të parë luan ndaj Serbisë në Serbi.

Ndeshja Serbi – Zvicër zhvillohet të shtunën në qytetin e vogël Leskovc.

Taulanti ishte pjesë e Shqipërisë në ndeshjen e vitit 2014 ndaj Serbisë në Beograd. Ajo ndeshje ishte ndërprerë pasi lojtarët e Shqipërisë u sulmuan në fushë nga numër i madh i huliganëve serbë.

“E di shumë mirë se sa shumë presion dhe emocione duhet të përballosh në këtë ndeshje”, thotë ai.

Menjëherë pas shortit, Taulanti i sugjeroi Granitit që të mos paraqitej në ndeshjen në Serbi.

“I sugjerova Granitit të flasë me selektorin Murat Yakin dhe ndoshta ta lëshojë ndeshjen. Por ne të gjithë e njohim atë. Ai dëshiron të luajë secilën ndeshje për Zvicrën”, thotë Taulant Xhaka.

Ai ka thënë se Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet.

“Nuk është e lehtë të mbash veten nën kontroll për 90 minuta kur gjërat bëhen emocionale sërish. Është e lehtë të thuhet, por në fund ka të bëjë me lojë futbolli dhe me fitore”, ka thënë mesfushori i Baselit.
Ish-sulmuesi i Zvicrës, Admir Mehmedi, ka thënë se pret ndeshje normale. Ai beson se të dyja palët kanë mësuar nga e kaluara.

Kapiteni i Grasshopperit dhe reprezentues i Shqipërisë, Amir Abrashi, thotë se nuk do të ketë urrejtje si në të kaluarën.

“Për më tepër vetëm Graniti është i përfshirë. Në dy duelet e fundit shumë gjëra kishin të bënin me Xherdan Shaqirin”, ka thënë Abrashi.

Shaqiri ka shënuar gola në të dy fitoret që i kushtuan Serbisë me eliminim nga Botërori. Ai i ka dhënë fund karrierës me Zvicrën. Në Përfaqësuesen helvetike është Andi Zeqiri, por nuk është prej lojtarëve të rëndësishëm.

Gazetari serb, Velko Ivanov, ka thënë se në Serbi e shohin Xhakën si provokues, duke parë sjelljet e tij në dy ndeshjet e kaluara me Serbinë.

Xhaka pritet të fishkëllehet e të fyhet të shtunën në ndeshjen në Leskovc, që fillon në orën 20:45.

Gazetari Ivanov ka thënë se në Serbi e pranojnë që Xhaka është futbollist i shkëlqyer. Për këtë ka folur edhe selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq.

“Ai është lojtar i shkëlqyer që luan në nivelin më të lartë botëror për shumë vjet. E vlerësoj shumë lart”, ka thënë Stojkoviq.

Vetëm 70 tifozë do ta përkrahin Zvicrën në ndeshjen e vështirë në Serbi. Në dispozicion ishin 300 bileta, por që nuk kishte interesim. Sipas gazetës “Blick”, kjo ndodhi për shkak të lidhjeve jo të mira me Leskovcin.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button