Sulmet iraniane shkaktuan dëme në miliarda dollarë në objektet e inteligjencës amerikane

Sulmet iraniane me raketa dhe dronë kanë shkaktuar “dëme të paprecedenta” në objektet e inteligjencës amerikane dhe pajisjet e mbikëqyrjes në të gjithë Lindjen e Mesme, raportoi të martën NBC News, transmeton Anadolu.
Duke cituar katër persona me dijeni për çështjen, raporti tha se sulmet dëmtuan ndërtesa dhe pajisje për mbledhjen e informacionit të përdorura nga CIA dhe agjenci të tjera amerikane të inteligjencës.
Sipas raportit, dëmet pritet të kërkojnë miliarda dollarë për t’u riparuar ose zëvendësuar.
Burimet thanë se përmasat e shkatërrimit janë më të mëdha se çdo dëm i pësuar më parë nga agjencitë amerikane të inteligjencës.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit në shkurt. Në përgjigje, Teherani u kundërpërgjigj me sulme në vendet e rajonit që presin asete amerikane.
Irani dhe SHBA-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në mesin e qershorit, me ndërmjetësimin e Pakistanit, që synonte t’i jepte fund luftës mes tyre dhe të arrinte një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Megjithatë, bisedimet kanë ngecur që atëherë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi kushtet e memorandumit dhe lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kritike për eksportet globale të energjisë.



