Struktura të ASH-së distancohen nga Taravari: Jemi me VLEN-in

Pas vendimit të fundit të kryetarit të njërit krah të ASH-së, Arben Taravarit për dalje nga koalicioni shqiptar VLEN, janë shfaqur edhe publikisht pakënqësitë e anëtarësisë së kësaj partie, pjesë e së cilës kanë filluar të distancohen. Rasti më i ri ka ndodhur në Kërçovë ku anëtarët e ASH-së së Taravarit kanë nënshkruar një deklaratë ku bëjnë me dije kalimin në Lëvizjen BESA, gjegjësisht në partinë VLEN në të ardhmen e afërt.
Këtë e ka publikuar në Facebook, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani.
Në deklaratë shkruhet:
Ne anëtarët e poshtë shënuar të Aleancës për Shqiptarët nga nëndega e fshatit Tuhin- Kërçovë deklarojmë se distancohemi nga vendimi i Kryetarit zotëri Arben Taravari dhe Kryesisë qëndrore të ASH-së si dhe përfaqsuesit tonë nga Kërçova kryetarit të degës zotëri Genc Selmani i cili pa konsultimin me anëtarët e nëndegëve dhe të degës së Kërçovës ka përkrahur një vendim të tillë të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për shqiptarët i cili përçan shqiptarët dhe Koalicionin VLEN, njëkohësisht kundërshtojmë vendimin e Kryesisë qëndrore për ta lëshuar Koalicionin VLEN për arsye të pa kuptimta që ne të garojmë veqmas me listat e këshilltarëve për Këshillat e komunave.
Aktivitetin tonë në të ardhmen do ta zhvillojmë në kuadër të Lëvizjes Besa dhe të Koalicionit VLEN dega në Kërçovë si parti e bashkuar dhe unifikuar në një subjekt të vetëm nga të gjitha partitë pjesmarrëse të Koalicionit VLEN.
Me këtë vendim të anëtarëve të nëndegës së fshatit Tuhin të njoftohet Kryesia e degës së ASH-së në Kërçovë, Kryesia qëndrore e ASH-së si dhe opinioni publik në mes të mediave dhe rrjeteve sociale.