Stevço Jakimovski të enjten nuk do të hyjë në burgun e Shutkës, ka kërkuar shtyrje të dënimit për arsye shëndetësore

Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, nuk do të fillojë vuajtjen e dënimit me burg prej një viti të enjten, më 2 korrik, datë për të cilën i ishte lëshuar urdhri për paraqitje nga gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup.
Sot, nga Gjykata Penale njoftuan se ekzekutimi i dënimit të Jakimovskit për momentin shtyhet. Arsyeja, sipas tyre, është se ish-kryetari, pas lëshimit të urdhrit për vuajtjen e dënimit me burg, ka dorëzuar më 12 qershor një kërkesë për shtyrje për shkak të gjendjes shëndetësore.
Gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve, pas pranimit të kërkesës, ka filluar menjëherë verifikimin e dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga Jakimovski dhe ka dërguar kërkesa në dy institucione private shëndetësore që kanë lëshuar dokumentacionin, por ende pret përgjigje për të marrë një vendim përkatës, njoftojnë nga Gjykata.
“Në përputhje me nenin 144 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve, gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve ka afat prej 30 ditësh, nga pranimi i kërkesës, për të verifikuar rrethanat e paraqitura dhe për të marrë vendim. Deri në marrjen e vendimit, fillimi i ekzekutimit të dënimit shtyhet”,
thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit.
Nga Gjykata Penale shtojnë se do të veprojnë në përputhje me dispozitat ligjore dhe do të respektojnë në mënyrë konsekuente të drejtat e palëve në procedurë. Për detajet e mëtejshme, Gjykata tha se publiku do të informohet në kohë, duke pasur parasysh interesin publik për këtë rast.
Për kujtesë, më 11 qershor Gjykata Themelore Penale në Shkup njoftoi se ish-kryetari i Komunës së Karposhit duhej të paraqitej më 2 korrik në burgun “Shkup” në Shutkë për vuajtjen e dënimit njëvjeçar me burg për veprën penale të ndërtimit pa leje, pasi gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve i kishte lëshuar urdhrin për paraqitje me këtë datë.
Jakimovskit iu lëshua urdhri pasi dy ditë më parë Gjykata Penale njoftoi se Gjykata e Apelit në Shkup kishte konfirmuar dënimin e shkallës së parë prej një viti burg për ish-kryetarin, në lëndën që lidhet me ndërtimin e objektit komunal në Karposh.
Në dënimin e shqiptuar për Jakimovskin llogaritet edhe koha që ai ka kaluar në arrest shtëpiak në periudhën nga 19 marsi deri më 15 gusht të vitit 2019, që do të thotë se në burgun e Shutkës do të duhej të kalonte edhe rreth shtatë muaj.
Gjykata Themelore Penale në Shkup në prill të vitit të kaluar i shqiptoi dënim prej tre vjet e gjysmë burg ish-kryetarit të Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, lidhur me ndërtimin e objektit administrativ të komunës.
Jakimovski u dënua për dy vepra – ndërtim pa leje, për të cilën mori një vit burg dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, për të cilën iu shqiptua dënim me tre vjet burg.
Megjithatë, pas shqyrtimit të ankesave, Gjykata e Apelit në Shkup e konfirmoi vendimin për veprën e ndërtimit pa leje, duke e bërë atë të formës së prerë, ndërsa pjesën që lidhet me keqpërdorimin e detyrës zyrtare e anuloi dhe e ktheu për rigjykim.
Pjesa e anuluar e lëndës, siç informuan atëherë nga Gjykata Penale, do t’i caktohet një gjykatësi të ri, pasi gjykatësi që e kishte trajtuar më parë nuk është më pjesë e Departamentit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
Pas vendimit të Apelit, Jakimovski në një konferencë për media deklaroi se ishte dënuar për arsye politike, me qëllim që të mos mund të kandidonte në zgjedhje të mundshme të përsëritura për kryetar të Komunës së Karposhit.
Jakimovski tha se nga ai moment ai ishte bërë pjesë e “klubit të personave të dënuar politikisht”.
Ai e lidhi vendimin gjyqësor me situatën rreth kryetarit aktual të Karposhit, Sotir Lukrovski, i cili për një periudhë të gjatë ndodhet në pushim mjekësor dhe për këtë arsye ka emëruar një zëvendës nga radhët e këshilltarëve të komunës.
Sipas ish-kryetarit, kjo ishte arsyeja e vërtetë e vendimit gjyqësor, ndërsa akuzat ndaj tij i cilësoi si pretekst për ndjekjen e tij.
Ai deklaroi se për momentin atij dhe mbrojtjes së tij nuk u mbetet asgjë tjetër përveçse të shpresojnë te instanca e fundit gjyqësore – Gjykata Supreme.



