Sonte Mickoski e prezantoi ndarjen e resorëve ministror

Kryeministri Hristijan Mickoski, sonte i prezantoi ministrat e rinj në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë.
Ai tha se rikonstruimi shënon fillimin e një faze të re, pas dy viteve të punës së kësaj qeverie. Sipas tij, në periudhën që vjen fokusi do të vihet edhe më shumë te efikasiteti, dinamika e punës dhe arritja e rezultateve konkrete, duke sjellë energji të re për një përshpejtim të ri.
VMRO-DPMNE do të udhëheqë me Ministrinë e Politikës Sociale dhe Demografisë. Ministër është emëruar Gjoko Velkovski, i cili deri më tani ushtronte detyrën e zëvendësministrit në këtë dikaster.
Për ministër të Shëndetësisë është emëruar Sashko Klekovski, i cili deri më tani ishte drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Në vend të tij në Fond emërohet ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, ndërsa ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale është emëruar Ivan Stoilkoviq.
Për ministër pa resor, i ngarkuar për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve, është emëruar Erxhan Demir.
Nga koalicioni VLEN do të emërohen ministra të rinj në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ndërsa ZNAM do të propozojë një kandidat të ri për ministër të Bujqësisë. Më herët, lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, deklaroi se për ministër do të propozohet Borçe Serafimovski.
Resori i deritanishëm për Qeverisje të Mirë shfuqizohet dhe kompetencat e tij do të kalojnë drejtpërdrejt nën përgjegjësinë e kabinetit të kryeministrit.
Gjithashtu, Mickoski njoftoi se Partia Demokratike e Turqve i bashkohet koalicionit qeverisës të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.



