Shteti Sovran Bektashi: një nismë e panevojshme
Krijimi i një shteti të tillë mbase do të arsyetohej në rast se vërtet do të kishte nevojë për diçka të tillë. Por, mbështetur në realitetin sociologjik e politik në Shqipëri, por edhe në gjithë botën shqiptare, nuk duket se ekziston një nevojë e tillë. Shqiptarët edhe tani, pra pa ekzistencën e këtij shteti, njihen si një komb shembull që historikisht ka kultivuar tolerancën fetare ndërmjet bashkësive fetare. Islami i shqiptarëve, me përjashtime minore, kurrë nuk është identifikuar me dhunë dhe fanatizëm ekstrem. Parë nga ky prizëm, shteti sovran bektashinj është një aventurë e panevojshme.
Murat ALIU, Prilep
Një historik i shkurtër i bektashizmit
Bektashizmi, si një sekt fetar i Islamit dhe si një rend dervishësh, ka një histori sa të gjatë, po aq komplekse, kjo pasi që pjesa më e madhe në lidhje me origjinën e rendit të bektashinjve i takon fushës së miteve dhe legjendave sesa historisë së faktografuar. Sipas besimit të tyre, prejardhja e tyre është nga një i shenjtë turkmen, i quajtur Haxhi Bektash Veli, që kishte migruar nga regjioni i Korsanit të Iranit verilindor në Anadollin qendror në shekullin e trembëdhjetë, përkatësisht kishte migruar në Kërshehir, në fshatin Hashëbektashkoj. Rendi bektashian mori formë vetëm në shekullin e pesëmbëdhjetë, falë lidhjeve të ngushta me jeniçerët, njësia elitë e këmbësorisë që ishin trupat ruajtëse të sulltanit (Robert Elsie, 2020).
Robert Elsie, në librin e tij Bektashinjtë Shqiptarë: historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan, argumenton se historia e këtij rendi dervishësh në Shqipëri dhe në mesin e shqiptarëve daton që nga shekulli gjashtëmbëdhjetë. Që nga ky shekull, udhëtarë e shkrimtarë të ndryshëm dëshmojnë ekzistencën e një numri të konsiderueshëm të teqeve në trevat shqiptare. Sipas burimeve, teqeja e parë në Ballkan është ajo e cila ndodhet në Tetovë. Nga shekulli i lartpërmendur e deri në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë bektashizmi avash avash do të përhapet në mesin e shqiptarëve. Ndërkaq, një përhapje më masive e bektashinjve në Shqipëri do të ndodhë pas gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë (Robert Elsie, 2020).
Mustafa Qemali, në vitin 1925, i kishte ndaluar të gjitha rendet e dervishëve në Turqi. Pas këtij vendimi, bektashinjtë do të pësojnë goditje të madhe në Turqi, aty ky edhe ishte numri më i madh i tyre dhe, përfundimisht në vitin 1929, kryegjyshata botërore e bektashinjve do të zhvendoset në Shqipëri. Në vitin 1967, ashtu si edhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri, edhe komuniteti bektashi kishte pësuar një goditje të rëndë, kështu që pas ndalimit të fesë në Shqipëri u shkatërruan dhjetëra teqe të komunitetit bektashinj. Vetëm më rënien e komunizmit, në vitin 1990, bashkësia bektashianet do të ripërtërihet sërish (Robert Elsie, 2020).
Ajo që i identifikon bektashinjtë shqiptarë pa dyshim është patriotizmi dhe kontributi i jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare. Ndjenja e fortë kombëtare e nacionaliste brenda anëtarëve të komunitetit bektashi bëri që ky komunitet të ketë merita të veçanta në zgjimin e vetëdije kombëtare dhe formësimin e mendimit nacionalist shqiptar. Studiuesja franceze Nathalie Clayer shkruan se në vitet e hershme 1880-të propaganda bektashiane në Shqipëri mori ngjyrë shumë nacionaliste. Në këto hapësira bektashizmi u kristalizua në diçka posaçërisht shqiptare. Kështu një element nacionalist u shtua në doktrinë dhe anëtarët e rendit do të luanin rol të madh në zgjimin kombëtar shqiptar. Disa nga teqetë shërbyen si shkolla klandestine, ku nxënësit mësonin të lexonin e shkruanin shqip. Teqetë po ashtu shërbenin si baza të shpërndarjes së librave të drejtshkrimit, periodikëve dhe librave (Robert Elsie, 2020).
Çfarë qëndron prapa nismës së Shteti Sovran Bektashian?
Deri më tani shumë pak dimë mbi qëllimin, prapaskenat, formën etj., të mikroshtetit bektashian brenda Shqipërisë, i cili u paralajmërua nga vetë kryeministri Edi Rama, fillimisht në një medie prestigjioze ndërkombëtare dhe, më pas, në disa fjalime të ndryshme. Në një tekst të datës 21 Shtator 2024, gazeta prestigjioze New York Times shkruante se brenda Shqipërisë parashihet krijimi i një mikroshteti sovran bektashi mbi një territor prej 27 hektarësh, pak a shumë sipas modelit të Vatikanit. Për udhëheqësin e bektashinjve, Haxhi Dede Baba, i njohur si Baba Mondi, kjo është një “nismë e jashtëzakonshme, e cila do të sjellë një epokë të re për tolerancën fetare botërore dhe promovimin e paqes”. Ndërkaq, kryeministri Rama argumentoi se qëllimi i shtetit të ri është ta promovojë një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. “Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë. Unë shumë miqësisht do ju sugjeroja të gjithëve që të lexojnë dhe të informohen për Urdhrin e Bektashinjve. Çfarë përfaqëson në historinë e kombit tonë, çfarë roli ka pasur në fatet e kombit tonë dhe çfarë pasuri e madhe është për kombin tonë. Ky është një komunitet, është një urdhër që mbahet me mundime të mëdha dhe që e ka kapacitetin e rrezatimit shumë të ulët, për shkak se kaq fuqi kanë. Nuk do të ketë më, sepse fuqia dhe mundësia për ta prodhuar brezin tjetër e brezin tjetër nuk është. Të tjerët i shkollojnë imamët, i shkollojnë priftërinjtë në plot vende të botës, nuk ka asnjë problem. Janë gjithmonë e më të shkolluar, ikin atje, shkollohen, vijnë e vazhdojnë. Po ne? Ku do t’i shkollojmë? Si do t’i garantojmë vazhdimësinë e mbi të gjitha çfarë do të thotë që të krijohet një entitet sovran? Do të thotë që statusi i këtij Urdhri të ngrihet në një nivel maksimal dhe të ketë një rrezatim përtej atij perimetri të pronës së vet, sepse janë në pronën e tyre ata, aty është prona e tyre, i kanë pasur denbabaden, ua mori komunizmi siç ua mori të gjithëve dhe e kanë prapë ata. Ky është në status si një përfaqësi diplomatike.
Nëse shikojmë më kujdes ligjërimin e kryeministri Rama, del se ai shtron tre argumente kryesore që e mbështetësin krijimin e këtij mikroshteti. Së pari, se kjo do t’i ndihmonte komunitetit bektashian të mbijetojë, pas – se siç thotë ai – ky komunitet përballet me vështirësi të shumta të cilat e rrezikojnë ekzistencën e tij. Së dyti, kryeministri Rama e thekson rolin dhe kontributin e veçantë në historinë kombëtare të komunitetit dhe figurave bektashiane. Dhe, së treti, Rama e thekson natyrën e moderuar dhe tolerante të ligjërimit fetar të këtij rendi ose sekti.
Sa i përket argumentit të parë, që komuniteti bektashian përballet me probleme serioze për ruajtjen e vazhdimësisë së tij në kuptimin e mungesës së klerikëve dhe pamundësisë për të shkolluar klerikë të rij, do të ishte shumë e logjikshme parashtrimi i pyetjes se a është i nevojshëm krijimi i një shtetit sovran, që në të njëjtën kohë nënkupton faljen e një cope toke nga territori i shtetit shqiptar, për t’u zgjidhur kjo vështirësi me të cilën përballet komuniteti në fjalë? Pra, a nuk ekzistojnë rrugë dhe mënyra të tjera për ta ndihmuar komunitetin bektashian për ta siguruar mbijetesën e tij? Parë nga një këndvështrim racional dhe praktik, duket shumë e tepruar dhe naive krijimi i një shteti sovran vetëm për të zgjidhur një problem të tillë me të cilin përballet komuniteti bektashian, i cili në fakt është lehtësisht i zgjidhshëm. Ekzistojnë mënyra dhe rrugë të ndryshme, madje edhe me vetë ndërhyrjen e shtetit shqiptar, që do të kishin ndihmuar në tejkalimin e këtyre vështirësive.
Sa i përket argumentit të dytë, se komuniteti bektashian ka dhënë një kontribut të veçantë për kauzën kombëtare, Rama dhe të tjerët kanë plotësisht të drejtë. Sot shumë studiues vendorë e të huaj e theksojnë kontributin e bektashinjve veçmas në periudhën e Rilindjes Kombëtare në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe krijimin e shtetit shqiptar. Naim Frashëri, poeti i kombit, Sami Frashëri, autori i manifestit të nacionalizmit shqiptar “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e çdo të bëhetë”, ideologu i kauzës kombëtare gjithashtu ishin bektashinjtë. Dhe, sigurisht vëllai i Naimit dhe Samiut, Abdyl Frashëri, i pari i Lidhjes së Prizrenit. Por, jo vetëm këta. Ekziston një plejadë e tërë e patriotëve shqiptarë, pjesëtarë të këtij komuniteti, që vërtet kanë kontribuar fuqishëm për kauzën kombëtare. Megjithatë, edhe ky fakt nuk e arsyeton këtë nismë. Aq më tepër kur kjo iniciativë a propozim vjen prej lart, pra prej vetë kryeministrit dhe, mbase, prej kryegjyshit të bektashinjve. Deri më tani historia nuk ka regjistruar ndonjë kërkese të tillë nga komuniteti bektashian. Edhe tani, pas zbardhjes së kësaj ideje, pjesëtarët e komunitetit bektashian nuk dukej që ishin të entuziazmuar dhe të lumtur. Fundja, krijimi i këtij gjysmështeti as nuk e rrit as nuk e ulë peshën e bektashinjve në historinë kombëtare shqiptare.
Argumenti i tretë, që pak a shumë mbështet në premisën se shqiptarët duhet të identifikohen me botëkuptimet dhe filozofinë e bektashizmi, pasi që më së miri e kultivojnë tolerancën fetare, por jo vetëm, duket se përbën idenë qendrore të kësaj nisme. Megjithëse është e sigurt që prapa kësaj iniciative qëndron edhe një racionalitet politik, pra ndonjë përfitim i pushtetit politik, është e qartë se ideja qendrore për krijimin një Shteti Sovran të Urdhrit Bektashian është ndërtimi i një imazhi tjetërfare për shqiptarët. Duket se mendohet se me krijimin e këtij gjysmështeti sovran brenda Shqipërisë dhe me vetë faktin se Kryegjyshata Botërore Bektashiane gjendet në Tiranë, shqiptarët dhe Shqipëria do të përfytyrohen si një komb dhe shtet që prodhojnë vlera universale, për faktin se bektashizmi edhe nga bota perëndimore shihet si një religjion a sekt tolerant dhe larg ekstremizmit fetar. Në nënvetëdijen e iniciatorëve ose arkitektëve politikë e fetarë të kësaj nisme qëndron ideja se në një epokë ku Islami, të paktën në sytë e botës perëndimore, identifikohet me dhunën dhe intoleracën, andaj në një periudhë kur Shqipëri sapo kanë filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian krijimi i një shtetit të pavarur bektashian brenda territorit të Shqipërisë do t’i ndihmonte shqiptarët të distancohen nga identifikimi me Islamin dhe të shlyejnë njollën e të qenurit si të tillë.
Bektashizmi do ta luajë rolin e “protestantizmit” në Europën e shekujve të pasmesjetës, një sekt me botëkuptime tolerante dhe kështu shqiptarët njëherë e përgjithmonë të shkëputen nga ndikimet e Lindjes dhe Islamit. Markimi i kombit si qendër e tolerancës fetare, duke krijuar një “Vatikan” brenda Tiranës, në mendjet iniciatorëve do ta ndryshonte radikalisht imazhin e Shqipërisë; imazh ky i cili nuk do të kishte asgjë të përbashkët me vendet myslimane, të cilat si e si në diskursin orientalist shqiptar, që nga rilindësit, identifikoheshin me dhunën, barbarinë, primitivitetin etj. Për më tepër, mendohet që ky shtet do ta shndërrojë Shqipërinë në një “rol model”, të cilin duhet ndjekur edhe shtetet e tjera sa i përket kultivimit të tolerancës fetare. Me krijimin e këtij shteti, Shqipëria do të jetë vendi i parë me shumicë myslimanë në botë që ka arritur të prodhojë “protestantizmin” në Islam.
Krijimi i një shteti të tillë mbase do të arsyetohej në rast se vërtet do të kishte nevojë për diçka të tillë. Por, mbështetur në realitetin sociologjik e politik në Shqipëri, por edhe në gjithë botën shqiptare, nuk duket se ekziston një nevojë e tillë. Shqiptarët edhe tani, pra pa ekzistencën e këtij shteti, njihen si një komb shembull, që historikisht ka kultivuar tolerancë fetare ndërmjet bashkësive fetare. Islami i shqiptarëve, me përjashtime minore, kurrë nuk është identifikuar me dhunë dhe fanatizëm ekstrem. Parë nga ky prizëm, shteti sovran bektashi është një aventurë e panevojshme.
Është i panevojshëm nga shkaku se së pari rrezikon prishjen e balancave ndërfetare brenda botësh shqiptare. Komuniteti mysliman, katolik dhe ai ortodoks me shumë arsye mund të parashtroj pyetjen pse një komunitet fetar duhet të ngrihet në një status më të lartë se sa ata. Për më tepër, kjo iniciativë është në kundërshtim me vizionin dhe parimin e rilindësve shqiptarë. Sipas këtij vizioni dhe parimi, të gjitha religjionet të cilave u përkasin shqiptarët duhet të jenë të barabarta për nga statusi juridik, politik dhe shoqëror. Ndërkaq, kjo nismë, përveçse është në kundërshtim me parimin egalitar kudnrejt religjioneve të shqiptarëve, lirisht mund të lexohet edhe si tentativë për ngritjen e bektashizmit në një fe kombëtare të shqiptarëve. Edhe kjo është në kundërshtim me doktrinën dhe nacionalizmin shqiptar. Nacionalizmi shqiptar, në thelb, është shekullar, sepse religjioni nuk është pjesë e komponentëve kryesorë të tij, kjo ngase jo nga fakti që nacionalizmi dhe rilindësit shqiptarë ushqenin një averzion kundrejt religjionit, por pikërisht nga fakti që shqiptarët ishin të ndarë në tre religjione të ndryshme. Identifikimi i kombit ose nacionalizmit shqiptar me njërin nga këto religjione nënkuptonte përjashtimin e dy të tjerëve dhe kjo në vetvete është antikombëtare. Parë nga ky këndvështrim, kjo iniciativë mund ta rrezikojë solidaritetin brendakombëtar. Ndërkaq solidariteti brenda anëtarëve të një kombit është parimi thelbësor i nacionalizmit dhe ai që në fakt e mban gjallë një komb të caktuar.
Përveçse kjo nismë është problematike për nga aspekti juridik dhe kushtetuese, pasi që sipas shumë juristëve është në kundërshtim me parimin e sovranitetit territorial të shtetit shqiptar, po ashtu duket se e cenon dhe vendos në pikëpyetje laicitetin e shtetit shqiptar. Sado që me krijimin e këtij shteti Shqipëria faktikisht do të ketë subjektivitet të veçantë juridik, pra do të konsiderohen dy shtete sovrane, prapëseprapë ekzistenca e një shteti teokratik brenda territorit të Shqipërisë me kompetenca të përziera do të hapte rrugë cenimit të parimit të laicitetit, parim ky i cili deri më tani është dëshmuar si më i suksesshmi në kuptimin e ndërtimit të një shteti dhe shoqërie progresiste dhe të qytetëruar.